Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se e kanë filluar plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës, i cili sipas tij, do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore. Çeku shtoi se gjatë kësaj jave do të dorëzojnë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Ai ka folur në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), ku këta të fundit kanë thënë se gjendja e monumenteve nuk është e mirë, andaj sipas tyre nevojitet bashkëpunim ndërinstitucional.
“Në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Kosovës për trashëgimi kulturore kemi filluar me plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës i cili do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore sipas standardeve dhe parimeve ndërkombëtare. Gjithashtu pas një angazhimi intensiv të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe në koordinim të ngushtë me KKTK-në gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë të pasur kulturore”, ka deklaruar Çeku.
Ai po ashtu shtoi se në muajt e fundit kanë filluar disa programe që sipas tij do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Këtu ai ka përmendur programin e sistemit të integruar të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ka thënë se përmes këtij programi do të sigurohet përfshirja e të gjitha të dhënave të kategorive të trashëgimisë kulturore në një platformë të përbashkët e të integruar.
Ndërkaq kryetari i Komisionit për Arsim dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola, u shpreh se ka thënë që ky komision do të mbështesë të gjitha masat shtetërore që ruajnë identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës./kp

●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.