Sot në Beograd, u mbajt Kongresi i 49-të i UEFA-s, ku u morën vendime të rëndësishme për zhvillimin e futbollit evropian.
Të pranishëm në kongres ishin figura të rëndësishme të futbollit botëror, përfshirë Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe shumë personalitete të tjera të njohura.
Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të delegacioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, si Agim Ademi e Armand Duka.
Kongresi u udhëhoq nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili gjatë fjalës së tij dha mesazhe të rëndësishme për të gjithë botën, duke nënvizuar sportin e futbollit si një mjet për bashkim dhe frymëzim, raporton “Oranews”.
Ai mori si shembull Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, duke theksuar se atje ku politika ndan, futbolli ndërton ura.
Gjithashtu, presidenti Çeferin përmendi organizimin e përbashkët të Kampionatit Evropian U-21 2027 nga Shqipëria dhe Serbia si një rikujtesë të shkëlqyer se nuk ka kufij në futbollin evropian. Ai i ftoi të gjithë të lënë pas historitë e së shkuarës për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë.
“Futbolli evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë si një model uniteti në këtë botë që po bëhet gjithnjë e më e ndarë. Ne bashkojmë dhe inspirojmë. Është misioni ynë, për të cilin jemi plotësisht të angazhuar. Kampionati Evropian 2024: Që nga atmosfera elektrizuese në stadiume deri te miliona tifozë që frymëzoi në mbarë botën, EURO 2024 na kujtoi se atje ku politika ndan, futbolli ndërton ura. Ne nuk ishim të ndarë, por punuam së bashku për të shfaqur lëvizjen më të madhe shoqërore në Evropë”.
“Futbolli është më shumë se një sport: është një pasqyrë dhe një model i shoqërisë. Ai flet një gjuhë universale që kalon përtej kufijve, bashkon komunitetet dhe frymëzon ëndrra dhe për këtë arsye, ne e shohim turneun e finaleve të EURO U-21 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, si një rikujtesë të shkëlqyer se nuk ka kufij në futbollin evropian”.
“Futbolli është më shumë se historia e së shkuarës, është e ardhmja që ne po ndërtojmë dhe po e ndërtojmë së bashku”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Kujtojmë se nga salla “Sava” në Beograd ku po mbahet ky takim, mbrëmë dolën pamje që tregonin se edhe flamuri i Kosovës ishte prezent aty.
Mirëpo, gjatë natës, u raportua se një grup huliganësh serb në Beograd, e dogjën flamurin e Kosovës.
Madje sot, gjatë punimeve të Kongresit, u raportua se simbolet e Republikës së Kosovës u hoqën nga tavolina. /Klankosova.tv
[caption id="attachment_2542244" align="alignnone" width="1024"]

Heqja e flamurit të Kosovës nga salla ku mbante punimet Kongresi i UEFA-s, 3 prill, 2025. Foto: AP[/caption]