Lajmet e fundit

Interi ka prezantuar sot përforcimin më të ri të afatit kalimtar të janarit, mbrojtësin anësor portugez, Cedric Soares, i cili erdhi si i huazuar nga klubi anglez i Southamptonit.
Në daljen e tij të parë si zikaltër, portugezi pranoi kënaqësinë e faktit që do të jetë pjesë e skuadrës së Interit dhe shtoi se mbetet i angazhuar për t’i bindur drejtuesit të blejnë përfundimisht kartonin e tij.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një klubi si Interi. Negociatat ishin hapur prej kohësh, por në janar gjithçka u konkretizua shumë shpejt dhe tani jam këtu. E di që kam 6 muaj kohë për të bindur drejtuesit, që të paguajnë për kartonin tim, ndaj kam nisur nga puna, për t’u vënë në dispozicion të trajnerit”, deklaroi Cedric Soares, shkruan calciomercato përcjellë Klan Kosova
Vetëm një vit më parë, krahu i djathtë i Interit mbulohej nga një tjetër portugez, Joao Cancelo, i cili aktualisht është pjesë e Juventusit.
Cedric Soares thekson se mes tij dhe futbollistit të bardhezinjve ka shumë ndryshim në mënyrën se si e interpretojnë lojën.
“Unë jam ndryshe nga Cancelo, pasi ai ka luajtur sulmues krahu në skuadrat e moshave, kurse unë mesfushor. Ai preferon të avancojë shumë, ndërsa unë jam më i kujdesshëm për pozicionin tim dhe herë pas herë ndihmoj edhe shokët në repartin e avancuar”, përfundoi deklaratën portugezi.