25.06.2016 · përditësuar para 3690 dite1 min lexim
Kombëtarja Shqiptare kampanjën kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” do ta fillojë në shtator pa Lorik Canën.
Menjëherë pas eliminimit nga Kampionati Evropian, ikona e futbollit shqiptar e ka bërë të ditur vendimin e tij për t’u pensionuar nga skuadra kuqezi, për të cilën ka luftuar si një luan tash e trembëdhjetë vjet.
Vendimi i 32-vjeçarit që ka lindur në Prishtinë ka pikëlluar tifozët shqiptarë. Duke e ditur kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Cana për Shqipërinë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po mendon që t’i përgatitë kapitenit legjendar ceremoni madhështore lamtumirëse.
Burimet nga Tirana bëjnë të ditur se FSHF-ja është duke e kërkuar një kundërshtar që ta zhvillojë një ndeshje miqësore, përmes së cilës Cana do të mundë të përshëndetej me Kombëtaren dhe tifozët shqiptarë. Kjo miqësore pritet të zhvillohet në Shqipëri kah muaji gusht, pasi në shtator Shqipëria do ta nisë kampanjën kualifikuese për Botëror.
“Zëri” mëson se në opsion për miqësore është edhe Përfaqësuesja e Kosovës, prej nga vjen Cana dhe shumë yje të tjerë të Kombëtares Shqiptare. Edhe Kosova në shtator do t’i nisë eliminatoret e Botërorit, kështu që miqësorja me Shqipërinë, e organizuar enkas për lamtumirën e Lorik Canës, do t’i shërbente ekipit të Albert Bunjakit për konsolidim të mëtutjeshëm. Ceremonia e Lorik Canës pritet të organizohet në stadiumin e rinovuar të Shkodrës, “Loro Boriçi”.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.