Lajmet e fundit

Pjesëmarrja historike në Europa League dhe aktivizimi i talentëve të rinj të skuadrës në ndeshjet ndërkombëtare, duket se ka dhënë efektin e dëshiruar te Skënderbeu. Klubet jashtë Shqipërisë kanë nisur të shfaqin interes për yjet e pesë herë kampionëve. Në Elbasan Arena, për sfidën me Sportingun e Lisbonës, i pranishëm ishte edhe presidenti i Bursasporit, Recep Bolukbası.
Drejtuesi i klubit të Superligës turke shoqërohej nga bashkëunëtorët e tij, ndërsa ekipi nga gadishulli i Anadollit mendohet se është i interesuar për dy apo tre elementë të korçarëve. Mes emrave të lakuar janë ata të dy mesfushorëve të krahut, Berisha dhe Latifi, 20-vjeçari nga Mali, Nimaga dhe sulmuesi nigerian, Peter Olayinka.
Bursaspor është skuadra e një qyteti ku jetojnë shumë shqiptarë, ndërsa disa prej aksionarëve të klubit kanë origjinë nga vendi ynë. Ekipi renditet në mesin e tabelës në këtë edicion të kampionatit turk. Në historinë 52-vjeçare skuadra është shpallur një herë kampione dhe ka fituar një kupë të Turqisë. Vlera e përgjithshme e lojtarëve në merkato përllogaritet në mbi 64 milionë euro.
Por, në pritje të mësohet se shitja e cilit prej talentëve të Skënderbeut do të konkretizohet në merkaton e janarit, një lojtar që largohet menjëherë nga skuadra është Ventsislav Hristov. Drejtuesit korçarë gjetën marrëveshjen për prishjen konsensuale të kontratës me sulmuesin që numëron 6 aktivizime me përfaqësuesen bullgare. Hristov u afrua me bujë te Skënderbeu në fillim të edicionit. Por, ai mbeti shumë shpejt jashtë planeve të trajnerit Josa, shkruan SuperSport.al.
Në kampionat sulmuesi ishte aktivizuar vetëm në 4 ndeshje, duke shënuar edhe një gol (29 gusht me Kukësin). Në Grupet e Europa League, në tre sfidat e para, Hristov qëndroi gjithmonë në stol, ndërsa ka luajtur vetëm gjatë ndeshjeve kualifikuese të Champions League përballë Milsamit, Crusaders dhe Dinamos së Zagrebit.