Lajmet e fundit

Pasi bëri xhiron e suksesit në kinematë botërore dhe në disa festivale prestigjioze të filmit, filmi “Burrnesha” mbërriti edhe në Tiranë për të çelur zyrtarisht edicionin e 13-të të Tirana International Film Festival. Regjisorja Laura Bispuri rrëfen se si e ka studiuar fenomenin dhe se si përmes një burrneshe sjell jetët dhe motivet e gjithë atyre që e kanë përqafuar këtë zgjedhje. Në fund, burrnesha çlirohet duke rimarrë femëroren që i ishte mohua.
Në shoqëritë postmoderne ku diskutimet mbi seksualitetin sillen –ose edhe i kanë tejkaluar në disa syresh –rreth temave si feminizmi dhe çlirimi transgjinor publikut botëror dhe kinofilëve u vjen një histori arkaike nga Shqipëria…Burrneshat apo virgjëreshat e betuara që nga identiteti i tyre seksual kanë hequr dorë me një premtim sipas ligjësive të Kanunit, një kod zakonor ndoshta vështirë i shpjegueshëm për pjesën tjetër të botës, por që regjisorja italiane Laura Bispuri ka marrë përsipër ta bëjë me filmin e saj “Burrnesha”, i cili pasi bëri xhiron e suksesit në kinematë botërore dhe në disa festivale prestigjioze të filmit (rrugëtimi kujtojmë që nisi në Berlinale ku filmi u prit mirë edhe nga kritika) mbërriti edhe në Tiranë për të çelur zyrtarisht edicionin e 13-të të Tirana International Film Festival.
Ashpërsia e maleve dhe e traditave të lashta, së cilave banorët, burra e gra u binden siç forcës së gravitetit, fotografi e fuqishme dhe dialogë të thjeshtë, lakonikë, ndoshta prej vështirësisë që mund të kishte hasur aktorja protagoniste, italiania Alba Rohrwacher ose për të përcjellë ashtu thjesht karakterin malësor ku fjalët duken të tepërta dhe…një histori gruaje në kërkim të rigjetjes së asaj çka kishte humbur; vetes.
Sigurisht që tematika është ekzotike, me një lloj joshjeje të menjëhershme, për të cilën regjisorja Bispuri ishte e vetëdijshme qysh prej fillimit, kur zgjodhi të trajtojë në kinematografinë fiction një fenomen si ai i burrneshave. Filmi është një përshtatje e romanit “Hana” të shkrimtares Elvira Dones. “Historia e ka një tërheqje shumë të fortë dhe qysh prej fillimit e kishte këtë, por besoj se nuk do të tërhiqte më pas nëse filmi nuk i përgjigjej kësaj pritshmërie dhe nuk i kënaqte ato”, – u shpreh regjisorja Laura Bispuri gjatë konferencës për mediat, gjithashtu e pranishme në premierën shqiptare – ku u vu re mungesa e protagonisteve Alba Rohrwacher dhe Flonja Kodheli, të cilat, për shkak të angazhimeve profesionale nuk mundën të ishin dje në Tiranë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: