Lajmet e fundit

Pas nderimeve të fundit, trupi i ish-presidentit shqiptar është shoqëruar nga një kortezh mortor deri te Ura e Lanës e më pas do të përcillet për në varrezat e Sharrës në Tiranë.
2 qershori u shpall ditë zie kombëtare me vendim qeverie në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë. Nishani ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore. Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë. Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani. Bujar Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. Ai ka mbajtur edhe poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë./Euronews