Lajmet e fundit

Pak orë pasi avioni i tyre është ulur në Rinas, axurrët kanë mbërritur në Shkodër ku do të luhet edhe ndeshja e fundit e këtyre eliminatoreve.
Por ajo çfarë ka rënë në sy është informacioni që portieri dhe kapiteni i italianëve ka për Shqipërinë.
"E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme", deklaroi Gianluigi Buffon për mikrofonin e Supersport.
Por kjo nuk është hera e parë që juventini vjen në Shqipëri, mbi dy dekada më parë, kur ishte pjesë e Parmas, ai ka luajtur kundër Teutës, periudhë të cilën Buffoni e kujton dhe për ndryshimet që sheh ka vetëm komente pozitive, shkruan Top Channel.
"Kam qenë në Shqipëri thuajse 23 vjet më parë, pasi kam luajtur me Parmën ndaj Teutës. Kjo është hera e dytë që vij në vendin tuaj. Kanë kaluar shumë vjet, por më duket sikur Shqipëria po evoluon, është bërë një vend i bukur dhe me njerëz optimistë. Kjo më lumturon, sepse në fund fatet e Shqipërisë dhe Italisë janë ndërthurur gjatë historisë", tha ndër të tjera Buffon.