Brooklyn Nets, ka dëshmuar edhe një herë se ka një nga ekipet më të mira sulmuese, pasi të hënën në mbrëmje ka shënuar 27-të tre pikëshe.
Me realizimin e tyre, ekipi i Brooklyn Nets ka thyer rekordin e klubit për më së shumti treshe brenda një ndeshje, dhe njëkohësisht me këto shifra ka zënë pozitën e tretë në histori të “NBA”, transmeton KlanKosova.tv.
“Nju-jorkezët” e arritën këtë sukses në ndeshjen kundër Sacramento Kings, ku fituan me rezultatin 125-136.
Derisa Kevin Durant mungoi për shkak të lëndimit, dyshja tjetër, Kyrie Irving dhe James Harden shkëlqyen në këtë ndeshje.
I pari shënoi 40 pikë, 27 prej tyre nga gjuajtjet për tre pikë, ndërsa i dyti arriti për herë të pestë këtë sezon dy shifror të trefishtë, pasi realizoi 29-të pikë, 13-të kërcime dhe 14 asistime.
Derisa Brooklyn e arriti fitoren e 3-të radhazi, lideri i Konferencës Perëndimore, Utah Jazz, ka shijuar suksesin e 8 me radhë.
Kjo pasi fituan ndaj liderit të Konferencës Lindore, Philadephia “76-ers”, me shifrat 134-120.
Jazz në këtë takim u udhëhoqën nga 40-të pikët e Jordan Clarkson, i ndihmuar edhe nga Donovan Mitchel me 24 pikë.
Ndeshje tjetër interesante ishte ajo në mes të Indiana Pacers dhe Chicago Bulls, ku koha e rregullt përfundoi baraz 105-105.
Por, pas vazhdimeve ishin “demat” ata që triumfuan, të udhëhequr nga Zach LaVine me 30 pikë, 9 kërcime dhe tre asistime.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.