British Council dhe Galeria Kombëtare e Kosovës do ta realizojnë ekspozitën artistike
PERCEPTIONS:BURRNESHAT, kushtuar diskutimit rreth rolit të grave në art dhe shoqëri, si dhe përqendrimit në veprat e artisteve gra.
Ekspozita hapet në Galerinë Kombëtare të Kosovës më 25 janar.
Titulli i ekspozitës është
“Burrneshat”, një fjalë që në Kosovë paraqet kompliment për një grua që është e vendosur, e fortë dhe tregon pak emocion, d.m.th., ka atribute që tradicionalisht u vishen meshkujve. Ekspozita në këtë mënyrë do të tentojë që të shfaqë dhe të manifestojë agjilitetin e grave artiste edhe në Kosovë, ku ato kanë përparuar prej gruas së parë të diplomuar artiste në vitet 1970, deri te prezenca e gjerë e tyre në botën e artit dhe kulturës.
Përpos manifestimit të arritjeve të grave artiste në Kosovë, programi do të theksojë dhe të ngrisë pyetje rreth sfidave të tyre momentale: Pse ka ende aq shumë mospërputhje mes numrit të grave studente të artit dhe numrit të artisteve të diplomuara aktive? A është të qenit artiste profesion tepër kërkues? A i kundërvihet avancimi i gruas përmes artit nocioneve konservative për gratë e asocuara me formën dhe bukurinë, përkundër burrave, si personifikim i funksionit dhe intelektit?
Natyrisht, këto çështje prekin pozicionet e gjithëmbarshme të grave në shoqërinë e sotme. Bazuar në konceptin e
“Burrneshave”, qëllimi është të manifestohet guximi i grave artiste, por edhe të rikujtohen përjetësimet e pabarazisë, siç është edhe mveshja e grave të suksesshme me atribute mashkullore.
Kuruar nga Arta Agani, ekspozita
“Burrneshat” do të prezantojë vepra nga artiste të njohura britanike dhe kosovare në Galerinë Kombëtare të Kosovës prej 25 janar deri më 24 shkurt.
Ekspozita do të shfaqë artistet britanike: Madame Yevonde, Clare Strand, Abigail Lane, Rachel Whiteread, Camilla Løw, Anthea Hamilton, Laura Aldridge, Helen Chadwick, Tracy Emin, Sarah Lucas, Gillian Wearing, Elisabeth Price, Celia Hempton dhe Lubaina Himid në “bashkëbisedim” me artistet kosovare :Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Arbana Hajredinaj, Flaka Haliti, kolektivin HAVE IT, Rudina Xhaferi dhe Zake Prelvukaj. Korniza e përgjithshme është iniciativa e British Council Perceptions, e cila kombinon vepra të artisteve eminente britanike nga koleksioni i British Council, me vepra të grave artiste lokale.
Pos Prishtinës,
“Perceptions” zhvillohet edhe në Cetinje, Novi Sad, Banja Llukë dhe Shkup.
Që të pesë ekspozitat konfrontojnë qasje të ndryshme artistike drejt riekzaminimit të rolit dhe statusit të grave përmes historisë dhe praktikave bashkëkohore të artit, kundër prapavijës së situatave komplekse shoqërore dhe historike në Ballkanin Perëndimor.
Me këtë projekt British Council gjithashtu shënon 80 vjetorin e koleksionit të tij.
Për më shumë informata:
https://kosovo.britishcouncil.org/en/programmes/arts/perceptions/burrneshat