Bota e artit kosovar sot humbi një personazh të dashur, regjisoren Burbuqe Berisha.
Dy kolege të saj, që ishin edhe mike shumë të afërta, e kanë kujtuar si person të buzëqeshur, të dashur dhe punëtore.
Në një prononcim për
Klankosova.tv, deputetja dhe aktorja e njohur shqiptare, Adriana Matoshi tha se për herë të fundit e takoi Burbuqen në premierën e filmit “Zgjoi”.
“Më datë 22 të këtij muaji e pashë në premierën e filmit “Zgjoi”. Si gjithnjë, Buqja e njëjtë e buzëqeshur. Edhe pse të gjithë e kemi ditur që është e sëmurë që një kohë të gjatë, për as edhe një moment nuk ka folur dhe nuk e ka ngarkuar askënd”, tha Matoshi.
Edhe një tjetër aktore me karrierë të gjatë dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, Anisa Ismaili tha për
Klankosova.tv, se Buqja ka qenë tepër punëtore, dhe e gatshme për ta ndihmuar çdokënd.
“E dashur, e mirë, tepër punëtore, tepër e gatshme të ndihmojë në çdo aspekt artistët e rinj. Dhe deri në frymën e saj të fundit, ajo ishte duke punuar. E kishin angazhuar edhe si regjisore për inaugurimin e Operës. Çdo herë duke punuar, edhe pse me gjendje të rëndë shëndetësore”, tha Ismaili.
Për katër vjet me radhë, Berisha ishte drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së si dhe të Ansamblit “Shota”, ndërsa në vitin 2017 kryetare e këshillit drejtues të TKK-së.
Viteve të fundit, regjisorja ishte drejtoreshë artistike e festivalit “Prishtina Internacional Theater Festival.
Veç kësaj, Buqja njihej si regjisore e suksesshme, pasi ka krijuar shumë filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, dokumentarë, seriale televizive e shfaqje në teatër. Ajo pati fituar çmime në disa festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar, ndërsa në vitin 2019 u shpall fituese e çmimit kombëtar për kinematografi.
Burbuqe Berisha vdiq sot në hapësirat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në moshën 51 vjeçare.
Lamumtirë Buqe, shpirti yt u prehtë në paqe!
www.klankosova.tv
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.