Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka folur në lidhje me liberalizimin e vizave, duke thënë se vazhdon të besojë se problemi është politik te disa shtete të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
“Unë mendoj që krejt problemi është politik te disa shtete të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe ta përmendësh në vazhdimësi çështjen e korrupsionit për mua s’ka kuptim, kur vërehet dhe shihet se Kosova ka shënuar progres në këtë aspekt, bazuar edhe në raportet ndërkombëtare si ai International Transparency që vetëm Mali i Zi është më mirë se ju. Kriteret për liberalizim të vizave janë qesharake, thënë të drejtën”, u shpreh ai.
Në një intervistë për Klan Kosova, u shpreh se pos për liberalizim të vizave, Bashkimi Evropian nuk është gati as për zgjerim.
“Nëse flasim për zgjerimin e BE-së, po keni të drejtë, pos për liberalizim të vizave, BE-ja nuk është gati as për zgjerim dhe po kanë të drejtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që kanë kritika në këtë drejtim. Janë 27 vende anëtare, secila ka qëndrime të caktuara për çfarëdo vendimi që merret, pra sistemi aktual brenda BE-së e bën të komplikuar dhe jo efikas këtë union aktualisht si është”, tha ai.
Bosch u shpreh se ekziston një frikë që nëse bëhet liberalizimi i vizave njerëzit mund ta keqpërdorin atë.
“Si atëherë edhe tash, nuk ka qenë problemi te moskalimi i demarkacionit me Malin e Zi, por te frika si në atë se çka thuhet për juve por edhe për Shqipërinë sa i përket gatishmërisë së njerëzve për të emigruar. Kanë frikë se nëse u hiqen vizat, gjysma e popullsisë do ta keqpërdorë këtë. Por, nëse kanë frikë se ndodh kjo, unë prapë nuk mund ta kuptoj kur tash në Evrope kemi 6 milionë njerëz prej Ukrainës dhe si ky nuk qenka problem për ne, pse duhet të jetë problem nëse 1 milion prej shtetit tuaj do të vinin në Evropë edhe pse janë raste të ndara, kuptohet”, tha tutje ai.
https://www.youtube.com/watch?v=FbHHBi-2rNg
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.