Para disa javësh, gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, u nis drejt hapësirave të QKUK-së për t’i kërkuar përgjigje kryesueses së Bordit të ShSKUK-së, Tetore Olloni, lidhur me mungesën e materialeve bazike të dializës - mjete jetike që në fillim të nëntorit nuk gjendeshin në spital.
Olloni, në vend që të jepte qartësi për një çështje që prek pacientë të tërë, zgjodhi një dalje të shpejtë nga dera e ambulancave specialistike, duke shmangur çdo kontakt me ekipin e Klanit.
Për këtë ngjarje, Bordi Drejtues i ShSKUK-së ka tentuar të sqarohet përmes një reagimi, por në fakt ka dhënë “leksione” se si, sipas tyre, duhet të ushtrohet profesioni i gazetarisë, duke shmangur llogaridhënien që duhet ta japë ky institucion.
Pretendimi i bordit që gazetarja e Klanit, mund të mos ketë vepruar në mënyrë të ndershme nuk qëndron dhe nuk mbështetet nga asnjë fakt.
“Përdorimi i kamerave të fshehta, pajisjeve klandestine apo mjeteve tjera të posaçme për regjistrim përbën shkelje të rëndë etike dhe ligjore dhe mund të ketë pasoja juridike. Duhet sqaruar se: Mbledhjet nuk kanë qenë asnjëherë të hapura për regjistrime apo transmetime audiovizuale. Nuk ka qenë praktikë e mëparshme marrja e pamjeve, as prania e kamerave, as në sallë, as në korridor. Mbledhjet nuk janë konferenca për media dhe nuk shërbejnë si platformë për deklarata publike. Është i domosdoshëm dallimi midis raportimit faktik dhe opinionit personal. Opinioni nuk mund të zëvendësojë raportimin e bazuar në fakte. Gazetarët nuk mund t’i zëvendësojnë funksionet ligjore të autoriteteve si gjykatat, prokuroritë apo institucionet e tjera publike”, thuhet më tej në këtë pikë.
Edhe më befasuese është një tjetër pikë e reagimit ku thuhet: “Të ruhet standardi etik i raportimit, të mbrohet reputacioni profesional i gazetarëve dhe të shmangen praktikat që mund të shkaktojnë pasoja ligjore.”
Në fakt, gazetarja jo vetëm që po kërkonte një përgjigje nga kryesuesja për një çështje jetike për qytetarët në dializë, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që mund të prodhonte pasoja ligjore.
Për krejt zhurmën që u ngrit pikërisht nga mediat, pas ankesave të shumta nga qytetarët, ShSKUK-ja nuk pati shpjegime të hollësishme, por zgjodhi të dalë me këtë komunikatë.
Megjithatë, lufta ndaj mediave është e humbur dhe Klan Kosova, do të vazhdojë të raportojë për të gjitha çështjet që i prekin qytetarët e Kosovës.
https://www.youtube.com/watch?v=FyvUXg0Fd5A
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.