Administrata e Presidentit Donald Trump po ushtron presion ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit për të pranuar emigrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Bloomberg News”, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Kërkesat drejtuar vendeve të rajonit janë ende në vazhdim dhe përbëjnë pjesë të një strategjie më të gjerë për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë migrantë të dëbuar nga ShBA-ja, përfshirë edhe disa që fillimisht kanë hyrë në vend nën mbrojtjet e vendosura gjatë administratës Biden, sipas burimeve që kërkuan të mbeten anonime për shkak se bisedimet janë konfidenciale, shkruan më tej kjo agjenci lajmesh.
Në maj, Gjykata e Lartë e ShBA-së i dha dritën jeshile administratës Trump për të revokuar statusin e përkohshëm ligjor për të paktën 500,000 persona nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, duke e shtyrë Shtëpinë e Bardhë të kërkojë destinacione të mundshme për dëbimin e tyre, transmeton Klankosova.tv.
“Bloomberg” shkruan më tej se Serbia po shqyrtohet si një prej destinacioneve të mundshme për këta të dëbuar, pjesërisht për shkak të rëndësisë që ka për familjen Trump.
Kryeqyteti i saj, Beogradi, pritet të jetë vendndodhja e një “Trump Tower”-i, i planifikuar nga një firmë investimesh e bashkëthemeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit. Organizata Trump ka nënshkruar një marrëveshje për licencimin e markës së saj për këtë projekt. Trump i ka kaluar kompetencat mbi organizatën dy djemve të tij më të mëdhenj, Eric Trump dhe Donald Trump Jr. Ky i fundit gjithashtu menaxhon asetet e të atit përmes një trusti.
Djali i madh i Trumpit ka vizituar Serbinë disa herë, ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i Trumpit, Richard Grenell, është nderuar me dekoratën më të lartë civile të vendit.
Gjatë vizitës së tij më të fundit në fund të prillit, Donald Trump Jr. pati një drekë me presidentin serb, Alleksandar Vuçiq. Vizita ishte pjesë e një turi në Evropën Lindore, gjatë së cilës ai eksploroi mundësi të reja biznesi në cilësinë e nënkryetarit ekzekutiv të “Trump Organization”.
Ndërkohë, marrëveshjet për strehimin e migrantëve të dëbuar nuk janë të reja për rajonin e Ballkanit. Italia ka arritur më parë një marrëveshje me Shqipërinë për të ngritur qendra për migrantët e ndaluar gjatë përpjekjeve për të kaluar Mesdheun nga Afrika drejt Evropës. Këto qendra do të financoheshin nga Italia. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.