Lajmet e fundit
Bleart Tolaj, futbollist i klubit “FC Ardhmëria” dhe i përfaqësueses së Kosovës për U17: Kam filluar të merrem aktivisht me futboll që nga mosha tetë vjeçare. Tani futbolli është më shumë se pasion për mua, është përditshmëria ime. Qysh se di për vetën kam pasur një dëshirë të flaktë që të luaj futboll – flakë që asnjëherë nuk është shuar në mua dhe nuk do të ndodhë kurrë, sepse për mua futbolli është edhe më shumë sesa një profesion.

Vet Arti, siç e quajnë shokët e skuadrës, i rikthehet kujtesës dhe tregon për Klan Kosovën tash pas dy vjetësh se ftesa për të përfaqësuar shtetin ishte momenti më i lumtur, përkundër se emocioni përzihej nga dëshpërimi i humbjes.
“Normalisht ishte gëzimi me i madh. Ishte ftesa për t’u bërë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, diçka që e ëndërroja. Ishte ndjenjë e bukur, por e çuditshme në të njëjtën kohë”, tregon Blearti.
“Është interesant, sepse në atë kohë isha totalisht i dëshpëruar nga humbja minimale kundër Prishtinës në Play-off, por është pikërisht kjo humbje ku unë reflektova në sytë e përzgjedhësit të U17 të Kosovës”.
“Atë kohë isha ende pa mbushur 15 vjet. Në të njëjtën lojë përjetova dy anët e futbollit - gëzimin dhe hidhërimin”, thotë Blearti në këtë intervistë, duke u ndalur dhe lëvizur kokën, sikur as vet nuk i beson tregimit që jo më shumë se para dy vjetësh e kishte përjetuar nën lëkurën e tij.
Tregimi i futbollistit të ri do zbukurohej edhe më shumë kur në debutimin e tij me përfaqësuesen kishte shënuar gol hiç më pak se kundër Italisë, në një turne ndërkombëtar.
Se futja e topit në rrjetë nuk është problem për Bleartin tregojnë shifrat mbresëlënëse që ka me klubin në të cilin që tri vjet angazhohet – “FC Ardhmëria”.
Ai është golashënuesi më i mirë dhe lojtari më i mirë në ligën Regjionale të Kadetëve të Kosovës, për regjionin e Pejës. Ndërsa ka ndihmuar ekipin “FC Ardhmëria” që për dy vjet rresht të shpallet kampion regjional.
“Futbolli është vet jeta për mua”, thotë Blerati, i cili tregon se për të, pos lojës me top nuk ka plan B.
“Kam filluar të merrem aktivisht me futboll që nga mosha tetë vjeçare. Tani futbolli është më shumë se pasion për mua, është përditshmëria ime. Qysh se di për veten kam pasur një dëshirë të flaktë që të luaj futboll – flakë që asnjëherë nuk është shuar në mua dhe nuk do të ndodhë kurrë, sepse për mua futbolli është edhe më shumë sesa një profesion”.
Sikur futbolli ta ketë pjekur para kohe, 16 vjeçari me fjalë të zgjedhura përshkruan punën e madhe dhe vështirësitë që i ka e do t’i ketë në ndjekjen e ëndrrës.
Ai e kupton mjaftë mirë se çfarë sakrifice duhet për t’u bërë një futbollist i suksesshëm, për më tepër në një vend si Kosova.
“Natyrisht, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës futbolli do shumë sakrificë, përkushtim e lodhje, duke përfshirë këtu edhe hidhërimet e shumta nga ndonjë dështim gjatë rrugës, pastaj janë edhe lëndimet, të cilat diktojnë shumë të ardhmen e një futbollisti. Madje në Kosovë është ende më vështirë duke u bazuar në mundësitë dhe kushtet që ofrohen këtu. Por, dëshira e madhe për sukses e për arritjen e ëndrrës më bëjnë që të punoj fort, pavarësisht vështirësive, sepse nëse nuk kemi ëndrra dhe pikësynime atëherë është e pakuptimtë të luftojmë e të sakrifikojmë”.
Fati i mirë i Bleartit është se ai vjen nga një familje e mbushur me futbollistë, ndaj dhe përkrahja për të asnjëherë nuk ka munguar.
Babai, Rasimi, ish-futbollist dhe vëllai i madh Bledori, që deri sezonin e kaluar aktivizohej me KF Besën nga Irzniqi, gjithmonë kanë qenë përkrahësit më të mëdhenj të Artit.
Pos përkrahje, Bledori i jap edhe nxitjen më të madhe për të stërvitur shumë, sepse siç thotë vet ai “e di se një ditë do të bëhet i madh”.
“Edhe unë kam luajtur futboll dhe vazhdoj të luaj, por Arti është shumëfishi im në moshën e njëjtë. Prandaj e mbështes dhe e nxis shumë, sepse jam i bindur se do të prekë majat. Shpesh e zë veten duke menduar se diku pas disa vitesh, do ta shoh duke performuar në ndonjë nga stadiumet e mëdha botërore dhe do mund t’u them të gjithëve ‘ai është vëllai im’”, thotë i emocionuar Blendori, për Klan Kosovën.
Mbështetje Arti ka edhe nga trajneri i tij, i cili flet në superlativ, kur i kërkohet ta përshkruajë asin e skuadrës.
Rexhep Daci, trajneri i klubit “FC Ardhmëria”, ka besim të madh tek nxënësi i tij.
“Blearti për trajnerin është një thesar, sepse mund ta aktivizosh në disa pozita si qendër sulmues, sulmues i krahut dhe po ashtu edhe si mesfushor ofensiv”, tregon Daci për Klan Kosova.
“Është një futbollist që dallon nga moshatarët e tij. Ka shumë personalitet si futbollist dhe është tepër punëtor. Është i urtë dhe shumë i shoqërueshëm, kurse në lojë është eksploziv dhe shumë i fuqishëm. Në aspektin teknik karakterizohet nga driblimet dhe goditjet e fuqishme me të dyja këmbët”.
Por atuja kryesore e Bleartit, sipas trajnerit Daci, është disiplina e tij.
“Në stërvitje është shumë i disiplinuar, me shumë seriozitet punon dhe dëgjon shumë. S’e mbaj mend që ka munguar në ndonjë stërvitje që tri vjet që punoj unë me të. Mungesat e vetme i ka atëherë kur grumbullohet me përfaqësuesen”.
Daci nuk e ka as më të voglin dyshim se karriera e Bleartit do të jetë një histori suksesi.
“E ardhmja e Bleartit për momentin duket shumë e ndritur. Me punë, angazhim dhe pak fat, shpresoj ta shohim në ndonjë ekip të madh duke luajtur në të ardhmen”.
Se duhet shumë punë, këtë qysh moti e ka kuptuar edhe vet Blearti, ai ëndërron shumë, por me këmbë në tokë.
“Ëndrrat janë pafund dhe të mëdha, po ashtu edhe ambiciet, por duke punuar fort e duke u përpjekur deri në maksimumin tim mendoj një ditë të jem në nivelet më të larta të futbollit botëror, gjithsesi duke qenë i vetëdijshëm që është një rrugëtim mjaft i vështirë, por besoj unë, assesi i pamundur”, tregon për Klanin ambiciozi Bleart Tolaj.
Arti pos që luan, natyrisht se edhe shikon shumë futboll. Kur pyetet se i pëlqen më shumë Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo, ai të befason me përgjigjen.
“Më pëlqen dikush tjetër dhe jo njëri nga këta të dy, edhe pse të dy janë superlojtarë”.
Arti ka idol dhe shembull një të tretë.
“Mua më pëlqen Neymar”, thotë Blearti preferencën që tashmë ia njohin të gjithë në klub.
Këtë e di edhe trajneri i tij Daci.
“Bleartit i pëlqen shumë loja e futbollistit Neymar dhe shihet dëshira e tij për ta ndjekur si model”.
Ndryshe nga futbollisti brazilian që pëlqen, sa i përket ekipeve ai do gjigantin anglez Manchester United, madje një ditë do dëshironte të luante në këtë klub.
“Pse jo”.
Sigurisht në botë ekzistojnë qindra e mijëra ishuj të vegjël, por ne të gjithë një e njohim, është Madeira e Cristiano Ronaldos, sigurisht ka edhe qindra e mijëra qyteza në botë, por a do ta vë Deçanin në hartë Blearti, këtë do na e zbulojë vetëm e ardhmja.
klankosova.tv