Lajmet e fundit

Besnik Bislimi: Afati për caktimin e grupit të përbashkët monitorues është 18 prilli. Nuk ka harmoni të qendrimeve mes Kosovës dhe Serbisë sesi do të dukej struktura e këtij trupi të përbashkët monitorues. Pala kosovare mendon se do të ishte ideale që personat që e udhëheqin Kosovën dhe Serbinë në këtë grup monitorues të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët, në mënyrë që të menjanohen konfliktet e interesit. Përfaqësuesi serb mendon se ai duhet të jetë kryenegociator edhe përfaqësues i Serbisë në grupin për mbikëqyrje të zbatimit të marrëveshjes.
Ne kemi dërguar (emrin) e të emëruarit tonë për këtë pozicion dhe presim që para takimit të radhës të krerëve të qeverisë, Bashkimi Evropian të vendosë strukturën menaxhuese të grupit të përbashkët monitorues. Kjo do të thotë se pala kosovare ka dërguar emrin e përfaqësuesit të vet.
Do ta bëni emrin publik?
Besnik Bislimi: Po, ne kemi emëruar ambasadorin tonë në Bruksel, zotin Agron Bajrami, i cili është i mirëinformuar, është i përfshirë dhe i ka kapacitetet që ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet në këtë grup të monitorimit të përbashkët.
Zoti Bislimi, Bashkimi Evropian tha pas marrëveshjes së Ohrit se Kosova duhet të fillojë menjëherë negociatat për një marrëveshje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Kjo nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A i keni filluar ju këto përpjekje?
Besnik Bislimi: Fillimisht, kjo nuk nënkupton themelimin e asociacionit me shumicë serbe, për arsye se ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues. Nuk zbatojmë qendrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë, jashtë Kosovës. Marrëveshja bazike si dhe aneksi implementues kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimi të ndjekë hapa sipas radhës, që nënkupton se njëra palë nuk mund të marrë përfitimet e marrëveshjes dhe pastaj të vendosë në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve.
Kjo nënkupton që edhe në qoftë se fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë me sukses. Për arsye se do të jetë e pamundur që pala kosovare ta realizojë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zoti Vuçiç deklaron publikisht se ai nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si të detyrueshme, por e shej si një lloj liste ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron që t’i zbatojë dhe cilat jo.
Zoti Bislimi a ka filluar puna e grupit menaxhues për hartimin e statutit të asociacionit dhe shkurtimisht çfarë pritet të përmbajë ai statut?
Besnik Bislimi: Grupi menaxhues ekziston që nga viti 2013. Deri tani ka patur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues. Grupi menaxhues është dashur që në baza të rregullta të raportojë tek Ministria e Pushtetit Lokal, por raportet e fundit janë dërguar në vitin 2018. Rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në çfarë stadi ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe pas prezantimit pushon veprimtaria e tyre, domethënë nuk ekziston më grup menaxhimi pas propozimit të draftit dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik.
Është shumë e rëndësishme që drafti që do të prezantohet nga ai grup do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë, që përshembull drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Nuk bie në kundërshtim me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë, nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb. Është në harmoni me letrën që zonja Mogherini i ka dërguar Kryeministrit të Kosovës në vitin 2015, ku shprehet qartë, edhe për Bashkimin Evropian, se ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto pesë kritere, me shumë gjasa ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shohim për alternativa që mund të prezantohen qoftë nga pala kosovare, qoftë nga dikush tjetër.