Lajmet e fundit

Presidenti amerikan, Joe Biden është duke bërë përpjekje që sulmi i Iranit kundër Izraelit të mos kalojë në një konflikt më të gjerë rajonal.
Kështu tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, mëngjesin e së hënës.
“Vetëm për shkak se Irani kreu këtë sulm të paprecedentë, të cilin ne dhe partnerët tanë izraelitë dhe partnerë të tjerë e penguam, nuk do të thotë se ne duhet të pranojmë vetëm një përshkallëzim të vazhdueshëm në rritje në rajon", tha Kirby për CNN, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur nëse është qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë që Izraeli nuk duhet të hakmerret, Kirby tha se kjo në fund të fundit varet nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, por që ShBA-të duan të shohin tensionet të de-përshkallëzohen.
“Ne respektojmë procesin e tyre sovran të vendimmarrjes. Ajo që ne duam të shohim është de-përshkallëzimi i tensioneve. Ne nuk duam të shohim një luftë më të gjerë”, tha Kirby.