Lajmet e fundit

Shumë shpejt ky i fundit shënon një gol, por “mbijeton” vetëm në një eliminatore. Më pas zhduket pa lënë gjurmë. Nga futbollistët që kanë luajtur ndeshjen e parë me De Biazin janë ende në këtë Kombëtare Lila, Agolli, Shehi dhe Roshi. Më pas edhe Sadiku futet si zëvendësues. Vetëm njëri prej tyre është titullar i padiskutueshëm dhe njëri prej të pazëvendësueshmëve të De Biazit. Tani është kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli.
Mavraj dhe Berisha
Në dy ndeshjet e ardhshme miqësore, Xhani De Biazi integron 2 futbollistët e tjerë që do të bëheshin menjëherë shumë të rëndë- sishëm për Shqipërinë. Mërgim Mavraj dhe Etrit Berisha sot bëjnë shtyllën kryesore të mbrojtjes kuqezi. Për disa vite me radhë, Mavraj bashkë me Canën ishin dyshja perfekte që gabonin shumë rrallë. Mavraj debuton me Katarin, ndërsa Berisha me Iranin. De Biazi filloi të ideonte mbrojtjen e Shqipërisë, me të cilin do të luante për vitet e ardhshme.
Eliminatoret “Brazil 2014”
E besoni apo jo, Xhani De Biazi ka luajtur me skemën 4-4-2 në ndeshjen e tij të parë zyrtare. Shqipëria fitoi 3-1 me Qipron me golat e Sadikut, Bogdanit dhe Çanit. Në fushë janë sërish dy futbollistë të rinj që erdhën me shumë bujë në Kombëtare. Alban Meha aktivizohej si mesfushor i majtë, ndërsa Burim Kukeli në qendër të mesfushës. I pari aktualisht aktivizohet te Kosova, sepse nuk u përshtat me skemat e De Biazit, ndërsa i dyti është një tjetër besnik i trajnerit italian.
Në portë ishte Ujkani, ndërsa Berisha ende nuk kishte fituar formacionin e titullarit. Sapo u vendos mes dy shtyllave, nuk u largua më kurrë. Me kalimin e ndeshjeve, De Biazi ndryshonte shumë pak, por përpiqej gjithmonë të integronte elementë të rinj për t’i dhënë më shumë impuls, teknikë dhe gjithçka tjetër i mungonte Kombëtares. Ekipi po merrte edhe rezultate pozitive, aq sa mendoi se ishte viti kur do të kualifikoheshim në Botëror. Humbja me Islandën dhe Slloveninë shkatërruan ëndrrën, por projekti ishte ende në jetë.
Në fitoren me Norvegjinë luajtën edhe futbollistët si Migjen Basha, Ervin Bulku, por për herë të parë del në skenë edhe Elseid Hysaj. Pa e ditur që ai do të ishte një tjetër i besuar i trajnerit italian, djaloshi në atë kohë u aktivizua në krahun e majtë. Sot, është zot i krahut të djathtë. Valdet Rama ishte një tjetër “shpikje” e De Biazit, por sot nuk është më.
“Francë 2016”
Epoka e artë e kuqezinjve nis me rreshtimin 4-5-1 dhe me lojtarë të rinj si Bekim Balaj, Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi. “Pitbulli” i Shqipërisë u dallua menjëherë për shpirtin e sakrificës dhe vrapin pa fund. Pikërisht është ai futbollisti ideal që kërkon trajneri italian. Bekim Balaj shënoi golin që i dha hov Shqipërisë për kualifikimin, por ai u zhduk nga skena duke ia lënë vendin Cikalleshit në sfidat e tjera. Ky i fundit luajti jashtëzakonisht mirë, por i mungonte goli. Një tjetër “zbulim” i De Biazit ishte Lenjani, që shënoi ndaj Danimarkës dhe për shumë ndeshje u aktivizua si mesfushor i majtë.
Kombëtarja vazhdonte të kishte prurje të reja si Ergys Kaçe, Shkëlzen Gashi, Herolind Shala, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Armando Vajushi dhe të tjerë. Shumë prej tyre nuk arritën të zinin vend për shkak të konkurrencës së madhe në Kombëtare. De Biazi vazhdoi të krijonte një bosht futbollistësh që përbëhet nga Berisha, Mavraj, Hysaj, Agolli, Kukeli dhe Abrashi. Të tjerët ndryshojnë shpesh në kërkim të alternativave dhe rezultateve pozitive.
“Rusi 2018”
Pas një Europiani pozitiv, ku u arrit edhe fitorja për herë të parë, Shqipëria ka një mision tjetër të vështirë. Rruga drejt Rusisë ka shumë pengesa. De Biazi vazhdon t’u qëndrojë besnik të njëjtëve futbollistë edhe pse për herë të parë trajneri provoi të luante me modulin 3-5-2. Boshti i futbollistëve është i njëjti (me përjashtim të Canës) dhe ndryshimet janë të pakta. Me këtë grup që trajneri ka në dispozicion, ka luksin dhe mundësitë për të bërë skema, module dhe interpretime të lojës siç ai dëshiron. Nga ndeshja e Gjeorgjisë te kjo e Maqedonisë, Kombëtarja ka ndryshuar shumë. Për fat të mirë, ndryshimi është pozitiv.