12.12.2022 · përditësuar para 1319 dite1 min lexim
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka ironizuar me eurodeputeten Viola von Cramon, duke e cilësuar si “eksperte për gjithçka”.
Ky reagim i Bërnabiqit vjen pasi Cramon kërkoi nga serbët që t’i largojnë barrikadat e vendosura në veri të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Rivendosja e paqes dhe e stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet. Posaçërisht sulmet ndaj EULEX-it dhe njoftimi për ushtarët e Serbisë është krejtësisht i papranueshëm. Unë pres që barrikadat e serbëve të Kosovës të largohen për t’u qetësuar situata. Përkrahje të plotë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Kësaj kërkese i ka reaguar Bërnabiq në llogarinë e saj në Twitter.
“Më në fund, deklarata e shumëpritur nga sekretarja e përgjithshme false e Kombeve të Bashkuara, Viola von Cramon, e cila gjithashtu ka marrë rolin e kryekomandantit të KFOR-it, eksperte e përgjithshme për të gjitha çështjet, që nga litiumi deri te eurokrenaria dhe kryembrojtëse e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut (përjashto serbët)", ka shkruar kryeministrja serbe.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
H
SHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.