Lajmet e fundit

Bernard Berisha ka bërë një ndeshje mjaft të mirë dje ndaj Sportingut të Lisbonës, duke qenë protagonist në shënimin e golit të parë të Lilajt. “Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë dhe u treguam të gjithëve se Skënderbeu është një skuadër që ka vlera. Me punën që kemi bërë, mendoj se e kemi merituar këtë fitore dhe tani duhet që të përqendrohemi në kampionat, ku jam i bindur se me këtë grup lojtarësh do t’ia dalim”, ka thënë lojtari për TVSH.
Ndërsa në lidhje me të ardhmen, mesfushori ka deklaruar:
“Të them të drejtën jam shumë i përqendruar për momentin tek impenjimet e skuadrës. Kam folur me presidentin dhe ia kam lënë atij që, së bashku me menaxherin tim, të vendosin për të ardhmen time. E di që presidenti Takaj do të bëjë më të mirën për mua dhe në janar do të më kalojë në një skuadër të mirë. Besoj se vlerësimi që më ka bërë ai prej 1 milion eurosh është një shifër e merituar. Kam dëshirë që ta provoj veten në një skuadër më të madhe, duke parë rritjen profesionale që kam pasur në vitet e fundit”, ka mbyllur Berisha, i cili do të luajë për Kombëtaren e Kosovës, por që ka bërë me dije se do të jetë gjithmonë i gatshëm që të japë kontributin e tij për Kombëtaren e Shqipërisë.