Lajmet e fundit

Në takimin me kryetarët e degëve të Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij theksoi se ky subjekt e mbështet protestën e pedagogëve, por thekson se kjo nuk është protesta e kësaj force politike.
Kryedemokrati shton se PD-ja po përgatitet për të mbushur sheshet dhe rrugët për t’u përballur me qeverinë përmes protestave.
"Universiteti është i kombit dhe është një pasuri kombëtare që duhet të mbrohet me të gjitha mundësitë. Ne e mbështesim dhe do ta mbështesim me forcën tonë kërkesën legjitime të sindikatave të universiteteve".
"Ne dënojmë me forcën më të madhe kërcënimet e papranueshme të Edi Ramës ndaj pedagogëve, ndaj studentëve, dënojmë me forcën më të madhe kërcënimin që i bën kërcënimit të kryetarit të sindikatave duke i thënë se ka qenë punonjës i SHIK-ut në një kohë që ai është larguar në vitin 2015 dhe e vërteta është, i shpërblyer nga qeveria e Edi Ramës sepse e vërteta është se ka qenë një ambasador i shkëlqyer, një punonjës i përgjegjshëm i atij institucioni, por ka një kryeministër gangster që nuk e di se çfarë flet dhe duhet që patjetër të gjithë të thonë atë që thotë ku se përndryshe janë armiq".
"Ne e mbështesim, por ajo nuk është protesta jonë. Protestat tona do t’i shohë Edi Rama. Ne përgatitemi për të mbushur rrugët dhe sheshet për t’u përballur me këtë qeveri, e cila kalon nga skandali në skandal, nga e keqja në të keqe për shqiptarët. Ju them unë ju: Jemi në rrezik absolut për rikthimin e vizave",ka thënë Berisha./tvklan.al/