Lajmet e fundit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e konsideron Lulzim Bashën të shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe jo të dorëhequr nga posti i kryetarit të PD-së.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit, mbrëmjen e së martës, Berisha theksoi se do të punojnë për bashkimin e demokratëve.
“Siç e dini, Basha është i shkarkuar nga Kuvendi historik i 11 dhjetorit dhe nga referendumi i datës 18 dhjetor. Për PD-në kanë votuar për shkarkimin e tij 4446 delegatë, kanë votuar për shkarkimin e tij 44 mijë anëtarë të PD-së. Kjo është e vërteta dhe është e pandryshueshme. Duke theksuar këtë, ne jemi të vendosur të punojmë për bashkimin e Partisë Demokratike me të gjithë ata të cilët besojnë se vota e lirë e anëtarëve të saj duhet të bashkojë demokratët dhe mund t’ju them që ka një mirëkuptim të gjerë gjatë këtyre ditëve në këtë drejtim”.
Ndërsa deklaratën e Enkelejd Alibeajt, një ditë më parë, që në emër të grupit parlamentar të PD-së, kërkoi që grupi i Komisionit të Rithemelimit të bëjë që Berisha të bëjë një hap, ish-kryeministri e konsideron një fletushkë që Lulzim Bashën, sipas tij, e shndërron në plaçkë tregu.
“Ka vetëm një grup parlamentar të PD-së dhe jo dy grupe parlamentare të PD-së. Çdo deputet i PD-së është i thirrur të ketë realitetin parasysh, nuk ka dy grupe parlamentare të PD-së. Por duke thënë këtë nuk është se disa qëndrime absurde të Lulzim Bashës nuk krijuan anomali në grupin parlamentar. Dhe mendoj se gjëja më imediate e deputetëve të PD-së është që të normalizojnë jetën e grupit parlamentar. Kam dijeni se po punohet me intensitet në këtë drejtim dhe kjo do të realizohet. Sa i përket fletushkës që lexoi z. Alibeaj, mund të them vetëm kaq se në atë fletushkë Lulzim Bashën e shndërronte në plaçkë tregu. Por kjo nuk është normale”.
Berisha thotë se Partia Demokratike do të kthehet në një forcë politike të fuqishme.
“Absolutisht selia është e PD-së dhe s’ka asnjë mëdyshje, jemi në proces e sipër të të gjitha vendimeve që do të merren dhe PD-ja do të bashkohet, do të shndërrohet në një forcë politike që nuk e ka pasur më të fortë Shqipëria ndonjëherë”. /tvklan.al/