Nuk mori vota të mjaftueshme për t’u bërë kryetar i Prishtinës.
Megjithatë, Bekë Berisha arriti t’i fitojë zgjedhjet për kryetar të klubit basketbollistik, Sigal Prishtina.
Mirëpo, këtë fitore, në ditën e zgjedhjes, menjëherë ia kontestuan tifo grupi “Plisat”, e një ditë më pas edhe Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Agjencia Antikorrupsion.
Të parët i rikujtuan Berishës se si deputet i zgjedhur, ai duhet të respektojë Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe të shmang çdo rol të papajtueshëm brenda afateve ligjore, raporton Klan Kosova.
Berisha nuk është pajtuar me këtë qëndrim të Ministrisë së Sportit, duke e cilësuar si tendencioz dhe se ka pasur raste të njëjta edhe në të kaluarën.
Ai deklaroi se do të kërkojë mendimin e Agjencisë Antikorrupcion.
Drejtori i kësaj agjencie, Yll Buleshkaj për Klan Kosova ka sqaruar këtë situatë që është krijuar.
“Aktualisht, Beka është pa mandat, gjegjësisht ndodhet në periudhë tranzicioni. Në rast se ai rizgjidhet dhe certifikohet në funksionin publik, atëherë, në parim, do të jetë i obliguar të tërhiqet nga pozitat që nuk janë në përputhje me funksionin publik që ushtron”, deklaroi Buleshkaj.
Ai sqaroi edhe çka ndodhë nëse nuk tërhiqet brenda afatit të caktuar.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar të trajtojë rastin, duke i dhënë zyrtarit një afat shtesë për përmbushjen e detyrimit ligjor, ose, në varësi të natyrës dhe peshës së shkeljes, të iniciojë procedurë kundërvajtëse apo penale, sipas legjislacionit në fuqi”, potencoi ai.
Sekretarja e Federatës së Basketbollit, Elvira Dushku, theksoi se janë të përkushtuar ndaj respektimit të ligjeve dhe janë duke ndjekur me kujdes zhvillimet.
“FBK do të bashkëpunojë ngushtë me MKRS-në, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe me vetë klubin, për të siguruar që çdo proces të jetë në përputhje me kornizën ligjore dhe me rregullat që garantojnë integritetin sportiv. Çdo veprim i ndërmarrë nga ana jonë do të bazohet në vlerësime zyrtare, në kompetencat tona statutare dhe në parimin e transparencës”, tha Dushku.
Bekë Berisha u zgjedh kryetar i Sigal Prishtinës pasi paraardhësi i tij, Blerand Stavileci dha dorëheqje. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.