Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur mbrëmjen e sotme trupin diplomatik shqiptar në Presidencë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Begaj ka kërkuar nga ambasadorët dhe konsujt e akredituar shqiptarë nëpër botë që të punojnë për të gjithë shqiptarët, pa dallim, raporton Klankosova.tv.
Në veçanti, ai ka kërkuar nga kori diplomatik shqiptar që të luajë rol më aktiv për çështjen e Kosovës.
“Dëshiroj të theksoj veçanërisht rolin aktiv që duhet të vazhdojë të luajë diplomacia jonë në marrëdhënie me Kosovën. Kosova nuk duhet të mbetet si një ‘talking point’ e përsëritur, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik”.
“Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj”, deklaroi Begaj.
Presidenti shqiptar, në takimin me përfaqësuesit shqiptarë në shtete të tjera e në institucione ndërkombëtare, kërkoi nga ta që të qëndrojnë “afër shqiptarëve kudo ku ndodhen”.
“Nuk ka fenomen më të papranueshëm se sa një ambasadë apo konsullatë që nuk është në shërbim të plotë e të përhershëm për qytetarët e vet. Si një popull që tashmë shumicën e ka me banim e punë jashtë vendit, shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë”, potencoi presidenti shqiptar, Bajram Begaj.
Ndër të tjera, ai foli edhe për gjeopolitikën, duke thënë se skena botërore, e cila deri para pak kohe ishte bashkuar, “sot po përjeton uljen e perdes së harruar të hekurt”.
“Multilateralizimi ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Globalizimi është krisur nën trysninë e forcave rajonale. Teknologjia tregoi anën e saj të errët teksa filloi të përdorej edhe për qëllime negative, si përhapja e informacioneve të rreme dhe influencimi i zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, çështje të mprehta si pabarazia shoqërore, siguria kibernetike, shpopullimi, ndryshimet klimatike dhe lindja e inteligjencës artificiale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar gjetjen e zgjidhjeve”.
“Agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Në Evropë u rikthye lufta për herë të parë që prej 1945-ës. Po kështu, në Lindjen e Mesme, pas një periudhe relativisht të qetë, u riaktivizua konflikti Izrael-Hamas, duke rrezikuar seriozisht të zgjerohet”.
“Gjeopolitika u kthye në skenë, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë”, potencoi presidenti Begaj.
Tutje, ai tha se zhvillimet ndërkombëtare janë të shumta e të shumëllojshme, dhe prekin direkt apo në formë më periferike edhe Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi.
Sipas tij, situata e paqes dhe sigurisë rajonale apo globale mbetet fluide, “por interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në BE mbeten të pandryshuara, si shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme dhe aksionit tonë diplomatik”.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët kanë një zë të fuqishëm dhe rol vendimmarrës”, tha ai, “mbetet realiteti politiko-ekonomiko-shoqëror, ku diplomacia shqiptare duhet të thotë fjalën e vet me gjithë fuqinë e mundshme dhe me argumentet bindëse për të garantuar të ardhmen Euroatlantike të kësaj pjese të shqiptarisë”. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.