Adhuruesit e Bijelo Dugmes e kujtojnë me pietet kohën kur bendi sarajevas ishte shndërruar në fenomen të kulturës europiane.
Në një vend si Jugosllavia, të udhëhequr nga partia komuniste, rock muzika po bënte namin.
Bijelo Dugme mbante koncerte para qindra mijëra adhuruesve, kurse albumet e tyre shiteshin në shifra marramendëse, njofton Klan Kosova.
Mirëpo, shumë njerëz ishin befasuar kur në vitin 1984 këngëtari Zeljko Bebek përnjëherësh ishte larguar nga grupi.
Tash, pas 33 vjetësh, ai ka vendosur ta tregojë arsyen.
E cila ka të bëjë me – Kosovën.
Fjala është për këngën “Kosovska”.
Sipas Bebek, kjo këngë të cilën Goran Bregovic e kishte realizuar në gjuhën shqipe, kishte bërë shumë ndryshime në bend.
“Kënga kishte tekst shumë të bukur, por ishte promovuar në kohë të gabuar”.
“Tre vjet pas demonstratave në Kosovë”.
“Atëherë i thash Goranit: ‘Kësaj radhe ia dole, por kurrë më”.
Bebek pohon se i kishte penguar politizimi i muzikës, prandaj ishte larguar nga Bijelo Dugme.
“Çfarë porosie po transmetoja unë në Jugosllavinë e atëhershme për kombet dhe kombësitë e saja?”.
“Unë, i cili dëshiroja ta nxitja frymën moderne kulturore, papritmas hyra në çështjet e politikave ditore”.
“Ky ishte thelbi i mospajtimit, pas të cilit në vitin 1984 edhe u prish ai formacion i bendit”.
Sipas një versioni tjetër, Bebek u largua për arsye financiare.
Më 13 shkurt 1984, Bijelo Dugme kishte mbajtur koncert në fshatin olimpik në Sarajevë, pas të cilit Bebek – për arsye të pakënaqësisë me mënyrën e ndarjes së parave të fituara nga ky koncert – kishte vendosur të krijonte solo karrierë.
Pas Bebek, Bijelo Dugme kishte vazhduar me këngëtarët Mladen Vojicic "Tifa" dhe Alen Islamovic, deri në shpërbërjen definitive më 1989.