Lajmet e fundit

Në daljen e tij të parë për mediat pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të PD, Lulzim Basha iu përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve.
Ish-kryetari i PD-së tha se po punon dhe do të punojë për një parti të bashkuar rreth vlerave dhe që të jetë alternativë për njerëzit.
Basha tha se do të marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar për t’i shërbyer atij dhe jo presionit. Ai u shpreh se PD nuk mund të jetë një alternativë në kundërthënie me aleatët strategjikë.
"Ajo që dua t’ju them është që po punoj dhe do punoj për një PD të bashkuar rreth vlerave që të jetë alternativë për njerëzit. Që të jetë alternativë për njerëzit do të thotë të punojë për njerëzit, të tejkalojë interesat personale për të cilat kam vendosur marrë vendimin që jeni të njohur të gjithë, atë të dorëheqjes nga kryetari i Partisë Demokratike. Por jo të heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. PD duhet të kthehet në alternativë dhe shpresë për njerëzit. Unë do të punoj ditë përditë që një PD të kthehet në shpresë dhe alternativë për njerëzit, alternativë që nuk mund të jetë në kundërthënie me aleatët tanë strategjikë, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kishim arritur asgjë këto 30 vite",ka thënë Basha.
"Siç ju thashë kam bërë dhe do të bëj gjithçka që PD të bashkohet rreth vlerave për të cilat është krijuar. Një nga vlerat themelore është orientimi euroatlantik. Në bazë të këtyre vlerave kam marrë vendimet e mia dhe përgjegjësitë e mira. E kam të qartë rrugën që duhet të përshkrojë PD për t’u kthyer në alternativë për njerëzit dhe do të punoj pa rreshtur për këtë rrugë. Ujërat mund të jenë akoma të turbullta, por do të qartësohen",ka thënë Basha./tvklan.al/