Lajmet e fundit
Presidenti i Barcelonës ka mohuar, edhe një herë tjetër, pretendimet e disa mediave se skuadra është në vështirësi financiare.

Josep Maria Bartomeu ka thënë se Barcelona qëndron mirë financiarisht dhe është e aftë për ta mbajtur treshen sulmuese, më të mirë në botë, siç e ka quajtur ai, MSN – Messi, Suarez, Neymar.
Këto komente ai i ka bërë pasi është pyetur nga gazetarët nëse janë të vërteta shkrimet në disa media britanike, të cilat duke iu referuar burimeve të tyre, pretendonin të kenë siguruar dokumente që tregojnë për vështirësitë financiare të skuadrës katalane.
Por Bartomeu ka insistuar se këto nuk janë aspak të vërteta, duke siguruar të gjithë se MSN nuk do të shpërbëhet.
“Ne duam të jemi klubi i parë që ka arritur të gjenerojë 1 miliardë euro të hyra në një vit kalendarik. Kundërshtari ynë është Premierliga, jo ndonjë klub i veçantë, por forca financiare që ajo ka”.
“Ju siguroj se Barcelona ka burime financiare për ta mbrojtur veten nga ofertat e skuadrave angleze për Messin, Neymarin edhe Suarezin”.
“Problemi nuk qëndron tek ta, por tek të rinjtë që marrin oferta joshëse dhe disa prej tyre largohen për këtë shkak”.