Lajmet e fundit

Kjo e këtij sezoni është një Barcelonë rekordesh. Falë fitores 1-2 në transfertën e Ishujve Kanarie përballë Las Palmasit, fitimi i titullit të dytë kampion radhazi në La Liga është gjithnjë e më pranë për skuadrën e Luis Enriques që në këtë sezon nuk di të ndalet. Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe për t’i thyer ato mendon Barcelona. Blaugranat me një tredhëmbësh të frikshëm në sulm të përbërë nga Messi-Suarez e Neymar po shfaqen si një skuadër e një tjetër planeti. Ndaj Las Palmasit Barca regjistroi fitoren e 20-të në La Liga në këtë sezon ndërkohë që vendosi edhe një rekord të ri përsa i përket ndeshjeve radhazi pa humbje të skuadrave spanjolle. Në të gjitha kompeticionet Barcelona numëron 32 ndeshje gjatë të cilave nuk ka pësuar asnjë disfatë duke thyer kështu rekordin e vendosur nga Reali i Carlo Ancelottit në sezonin 2013-2014. Në atë periudhë Los Blancos regjistruan 31 ndeshje pa humbje. Për të gjetur disfatën e fundit të skuadrës katalanase duhet të kthehemi pas në kohë pikërisht në javën e 7-të të La Ligas kur Barca e Luis Enriques mundej nga Sevilla në Ramon Sanchez Pizjuan. Që nga ajo sfidë Barcelona ka fituar 26 ndeshje dhe ka barazuar 6 të tjera, statistika këto që tregojnë për forcën e skuadrës blaugrana, shkruan SuperSport.al. Tashmë objektivi i Barcelonës është të thyejë rekordin e Realit të Madridit të Leo Benhakker që në sezonin e largët 1987-1988 nuk pësoi humbje në 34 ndeshje radhazi. Për ta bërë dicka të tillë Barcelonës do ti mjaftojë të mos mundet ndaj Arsenalit në Champions dhe Sevillas e Rayo Vallecanos në Primera Division.