Lajmet e fundit
Të shtunën me 30 maj në ora 19:30 në skenën kryesore të teatrit të Grazit në Austri do të jepet shfaqja “Your Stories, My Story” e Baletit Kombëtar të Kosovës.

"Your stories, My story" u dha për herë të parë në Prishtinë në tetor 2014 dhe pati një sukses të madh dhe një pritje të ngrohtë nga publiku i Kosovës.
Shfaqja është menduar si një performancë e përgatitur enkas për Baletin e Kosovës të bazuar në intervista dhe shkëmbime në mes koreografit Darrel Toulon dhe 20 valltarët e Baletit. Është konceptuar si një mozaik i shenjave që ka lënë lufta në shpirtin dhe në jetën e këtyre të rinjve dhe se si këto shenjat janë ende të pranishme, sot, 15 vjet pas luftës.
Shfaqja është një projekt i përbashkët i Baletit Kombëtar të Kosovës të mbështetur nga projekti “Culture for All” dhe i Ambasadës Austriake në Kosovë.
Me 30 maj, Baleti i Kosovës do të ketë rastin të paraqes këtë shfaqje para publikut austriak në Teatrin e Grazit, falë mbështetjes zemërgjerë të Ambasadës së Austrisë në Kosovë dhe kontributit të madh të Darrel Toulonin, Drejtor i Baletit të Grazit.
Në një njoftim për media të baletit thuhet se ky është një rast i shkëlqyeshëm për Baletin Kombëtar për të pasuruar më tej profilin kulturor ndërkombëtar të Kosovës para një publiku kulturor dhe artistik që kërkon shumë dhe për të krijuar mundësi të reja për veprime rajonale dhe ndërkombëtare të krijimit të rrjeteve dhe të bashkëpunimit.