Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, i cili ka kërkuar që këtij të fundit t’i ndërpritet masa e paraburgimit.
Avokati Virtyt Ibrahimaga në llogarinë e tij në Facebook e ka publikuar vendimin në fjalë, ku pretendon se Apeli ka bërë shkelje, njofton Klan Kosova.
“Aktvendimi është i panënshkruar nga gjyqtari i shënuar, kurse data e vendimit është më 05.05.2023”.
“Ankesa e mbrojtjes është bërë më datë 22.04.2023. Gjykata e Apelit duhet të vendosë brenda 72 orësh, pasi të ketë pranuar përgjigjen e prokurorisë, e cila duhet të përgjigjet brenda 24 orëve. Pra Gjykata e Apelit është dashur që të nxjerrë vendimin më se voni deri më datën 27 Prill 2023. Sot është data 08 Maj 2023”.
Sipas tij, Gjykata ne Apelit, ashtu sikur edhe Gjykata Themelore i beson prokurorisë në fjalë të saj, sa i përket pretendimit për dyshimin e bazuar për vepër penale.
“Prokuroria nuk i ka dorëzuar gjykatës dhe mbrojtjes asnjë provë të vetme lidhur me këtë rast. Neni 184 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, lidhur me caktimin e paraburgimit kërkon ekzistimin e dyshimit te bazuar për kryerjen e veprës penale. Kurse Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit bazueshmërinë për paraburgim si duket e mbështesin në pretendimet e prokurorisë, pa pasur nevojë për t'i shqyrtuar provat”.
“Neni 9 i Kodit të Procedurës Penale përcakton së në procedure penale, palët janë të barabarta para gjykatës. Për gjykatat në këtë rast si duket kjo nuk vlen sepse gjykatat i besojnë prokurorisë ne fjalë sa i përket pretendimeve të saj. Mirë se vini në shtetin ku garantohet ndarja e pushteteve dhe zhvillimi i procedurave të paanshme dhe objektive”.
Tutje, Ibrahimaga shton se sa i përket masës së paraburgimit, Gjykata e Apelit konsideron se Nagip Kransiqi duhet të qëndrojë gjithsesi në paraburgim sepse mund të ndikoj në pesë dëshmitarë.
“Të cilët dëshmitarë nuk janë intervistuar deri më tani. Gjykatës si duket nuk i intereson. Megjithatë fakt është se të gjithë dëshmitarët të cilët prokuroria i ka emëruar në propozimin e saj janë intervistuar nga hetuesia, muaj më parë dhe pas intervistimin kanë vazhduar të punojnë në të njëjtën korporatë ku Nagip Krasniqi ka qenë epror i tyre, pa asnjë ndikim”.
“Kurse masat e tjera si arresti shtëpiak nuk po e parandaluakan ndikimin e dëshmitarëve. Sipas kësaj logjike, secili i dyshuar në të ardhmen, i cili sipas pretendimit të prokurorisë, pa mbështetje në ndonjë provë asnjë-dëshmi të dorëzuar dyshohet për vepër penale duhet të dërgohet në paraburgim deri sa prokuroria të përfundojë hetimet”.
https://klankosova.tv/nagip-krasniqi-mbetet-ne-paraburgim-apeli-refuzon-kerkesen-e-mbrojtjes/
klankosova.tv