Në Hagë ka nisur dita e dytë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Avokat i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka mohuar të gjitha pretendimet e djeshme nga Prokuroria Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalës hyrëse, Keohe ka thënë që Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte, përcjell Klankosova.tv.
"ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë kriminale, komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës dhe dëshirojmë të ofrojmë faktet e asaj që ndodhën në terren, duke filluar me prezentimin fillestar të Hashim Thaçit dhe rolin e tij gjatë viteve 98-99. Thaçi ishte një aktivist, student që u kthye në Kosovë në mars të vitit 98 menjëherë pas vrasjes së anëtarëve të familjes Jashari që është edhe pikënisja e kësaj periudhe që mbulohet nga kjo aktakuzë".
"Motivi është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ne dëshirojmë të flasim për motivin në këtë çështje gjyqësore. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime si një prej udhëheqëse të UÇK-së, ai e dinte se suksesi i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të", ka thënë Keohe.
Tutje Keohe tha se Thaçi e dinte se Kosova s'mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së.
"Në fillim të viteve 98-ta, SHBA-ja i ofron mbështetje UÇK-së sipas disa kushteve, asnjë sulm kundër civilëve, asnjë asistencë nga grupet islamike ose asnjë financim nga trafikimi i lëndëve narkotike të paligjshme dhe asnjë veprim jashtë territorit të Kosovës. Thaçi e dinte shumë mirë se Kosova s'mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së. Ai kishte motivimin për të mos u angazhuar në ndërmarrje të përbashkët kriminale të përshkruara në aktakuzë", shtoi ai.
Keohe thotë që krimet nuk kanë qenë të motivuara, por janë kryer nga individë shqiptarë.
"Janë kryer krime, por jo të motivuara. Hashim Thaçi nuk e mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë dhe e ka informuar edhe në Këshillin e Sigurimit, por e kundërshton pretendimin se janë kryer krime nga udhëheqja e UÇK-së", tha ai.

https://www.youtube.com/watch?v=yvnT1FT3BPM