Lajmet e fundit

Bllokimi i merkatos në hyrje nga Fifa nuk ka demoralizuar aspak drejtuesit e Atleticos së Madridit të cilët pavarsisht se gjatë kësaj vere nuk mund të vendosin në dispozicion të trajnerit Diego Simeone asnjë futbollist po lëvizin duke realizuar goditje të rëndësishme për muajin Janar.
Pas arritjes së një marrëveshjeje me Diego Costën i cili do të rikthehet te Los Colchoneros në fillim të vitit 2018, Atletico është shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për sulmuesin anësor të Sevillas Vitolo, transmeton Klan Kosova.
Në mënyrë surprizë, lajmi është konfirmuar nga presidenti i Las Palmasit, Miguel Angel Ramirez sepse në gjysmën e parë të sezonit të ri, 27-vjecari do të luajë në formë huazimi te skuadra e vendëlindjes së tij për tu transferuar në Janar te Atletico. Për Vitolon, Los Colchoneros do t’i paguajnë Sevillas, klauzolën e largimit të lojtarit që është 35 milionë e 700 mijë Euro.
I pyetur për këtë cështje presidenti i Las Palmas-it, Miguel Angel Ramirez theksoi se klubi nga ishujt Kanarie hoqi dorë nga huazimi i brazilianit Gabriel Barbosa nga Interi pikërisht, pasi në të njëjtin rol tashmë skuadra e tij do të ketë shërbimet e Vitolos deri në Janar.
Me lëvizjet që po bëjnë drejtuesit e Atleticos së Madridit në merkato, Diego Simeones nuk i mbetet gjë tjetër vecse të presë fillimin e vitit 2018-të, për të patur në skuadrën e tij të tjerë elementë cilësorë që mund të rrisin forcën e sulmuesve të bardhekuqëve, shkruan Supersport, transmeton Klan Kosova.