Artisti Alban Muja ka treguar se ku është inspiruar për veprën e artit publik “Enough is Enough” që është vendosur në Tiranë e që lind prej deklaratës së bërë prej presidentit amerikan George Bush për Pavarësinë e Kosovës gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar në vitin 2007.
“Para dy vitesh isha ftuar prej Qendrës për Arte Bashkëkohore ‘Harabel’ për një projekt për t'i ftuar disa artistë bashkëkohorë shqiptarë dhe jo vetëm shqiptarë për të intervenuar në hapësirën publike për të sjellë një frymë të re të artit ku arti jo domosdoshmërisht të sillet përmes institucioneve si galeritë e muzetë, por arti të sillet para publikut në hapësirën publike. Në vitin 2019, ‘Harabeli’ më ftuan që të mendoj një ide dhe koncept dhe mua menjëherë m'u kujtua 20 vjetori i lirisë së Kosovës. Menduam që është mirë që të kujtohet ajo që kishte ndodhur si puna e refugjatëve të Kosovës që kishin gjetur strehim në Shqipëri. Kjo ishte ideja ku filloi gjithçka dhe në një mënyrë jo vetëm si një përkujtim i të kaluarës të popullit shqiptar andej e këndej kufirit, por edhe thirrje për vetëdijësim për të gjithë refugjatët që i shohim nëpër botë për shkak të rrethanave të ndryshme. Është edhe një komunikim mes të kaluarës së popullit shqiptar dhe asaj që ndodh sot nëpër botë”.
“‘Enough is enough’ është një shprehje që e kisha dëgjuar në të kaluarën prej një vizite të rëndësishme të George Bush në Shqipëri në atë kohë ku bëhej thirrje që liria dhe pavarësia e Kosovës duhet të konkretizohet me atë që e kemi sot dhe për të cilën po provojmë ta ndërtojmë dita-ditës. Fokusi kryesor ka qenë te thirrja mbi të drejtat me ato që mund të gjejmë edhe vetë në këtë shprehje, madje u lidh mirë edhe me këtë që po e përjetojmë tash”.
Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka treguar se ku saktësisht është vendosur kjo vepër arti e konceptuar si skulpturë në hekur dhe sa do të qëndrojë e ekspozuar në kryeqytetin shqiptar.
“Kjo vepër është menduar që të jetë në Tiranë për së paku pesë vjet. Gjendet mbi lumin Luna ku në një mënyrë dy brigjet e këtij lumi bashkohen me këtë fjali e cila ka qenë fjalia më e rëndësishme e historisë së vonshme të Kosovës. Si e tillë është menduar që të ketë një pozicion ku pse jo në të ardhmen të ketë një vendim permanent për t’u vendosur aty”.
https://www.youtube.com/watch?v=3THIFipqP9E
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.