Lajmet e fundit

Preç Zogaj në një rrëfim për letërsinë/ Jeta e poetit futet në një vetmi shumë më të madhe edhe pse shkrimtari është i vetmuar thuajse përherë. Por krejt ndryshe ishte. Kishte shkëmbim librash, kishte lexime poezish, kishte shkëmbim dorëshkrimesh. Folëm për Lezhën. Agim Spahiu, në kujtimet e veta (tani ai nuk është më) shkruante që ndalonte në Lezhë të takonte poetët e Lezhës, Visar Zhiti gjithashtu. Pra ishte një udhëkalim, një kryqëzim, një ndalesë për të marrë një libër, për të dhënë një libër, për të marrë një dorëshkrim, për të lënë një dorëshkrim, për të lexuar poezi
“Trishtimi është një ndjenjë që e shoqëron poezinë qëkurse ka lindur”, thotë Preç Zogaj në një intervistë më poshtë, duke u ndalur gjatë në ndjesitë që e çojnë tek poezia…
“Ushtrimet e melankolisë” është një takim i juaji me lexuesin, nëpërmjet poezisë. Nuk është një gjë e rrallë në rastin tuaj, po t’i referohemi gjuhës së shifrave, do të thoshim se që nga viti 1985, kur ju u shfaqët me librin e parë “Emrat tuaj” e deri tani, janë 11 libra me poezi pa llogaritur përmbledhjet. Një veprimtari e bollshme. Pra, ju nuk e keni braktisur asnjëherë poezinë, ndërsa nuk i jeni kushtuar ekskluzivisht asaj. E kam trajtuar këtë marrëdhënie të poetit me poezinë në vazhdimësi edhe në biseda me të tjerë poetë, të cilët kanë shkruar ekskluzivisht poezi, por edhe jo. P.sh. Besnik Mustafaj, duke bërë një paralele me dashurinë, më ka thënë që poezia është si dashuria, me kalimin e kohës vjen rrallë. Ilirian Zhupa sërish bëri një paralele me dashurinë po krejt të kundërtën tha: poezia është si dashuria nuk njeh moshë. Cila është përgjigjja juaj?
Poezia ndodh. Ne nuk e dimë kurdoherë se pse ndodh, a do të ndodhë, por ajo ndodh. Është një përjetim. Përvoja të mëson të kuptosh nëse është një përjetim poetik, apo përjetim i rëndomtë. Por, në momentin kur autori beson se është një përjetim poetik, atëherë e shkruan. Pra është përjetim ose përjetim dhe mendim bashkë. Përjetim, mendim, sintezë për shumë gjëra, që shkruhet me gjuhën e poezisë, me gjuhën e veçantë të poezisë. Është gjuha e metaforave, nuk është një gjuhë e përditshme. Është gjuha e rrallë e poezisë.
Nuk është një gjuhë e drejtpërdrejtë…
Jo, nuk është një gjuhë e drejtpërdrejtë. Madje, është një gjuhë që po ta përdornim në të folurën e përditshme do të dukej absurde. Vetë poezia e ka krijuar këtë raport me lexuesit e saj, lidhur me gjuhën. Por le t’i kthehemi pyetjes: sekush i jep përgjigjet lidhur me natyrën e vet krijuese. Jepen me qindra përgjigje se çfarë është poezia, pse shkruhet poezia dhe janë të vërteta dhe ato që kanë thënë Besniku dhe Iliriani. Të dy reflektojnë raportin e tyre me poezinë e shkruar. Kurse për mua është siç e thashë: Poezia ndodh, nuk është në dorën e autorit. Madje, ndonjëherë unë them që po të mos vijë kurrë, s’do të ishte asgjë. Për botën s’do të ishte gjë, për poetin do të ishte një braktisje e madhe. Por poezia të zë pritë në momente shumë të pakuptueshme si përjetim, si emocion.
Poezia është mendim thatë, dhe gjithnjë e më shumë poezia është mendim, sepse thjesht emocion do të ishte pak. Megjithatë, në momentin e kontaktit të parë me titullin e poezisë “Ushtrimet e melankolisë”, në mënyrë të pavetëdijshme hoqa një paralele, një shenjë barazimi midis melankolisë dhe poezisë në përgjithësi. Jo thjesht për poezinë tuaj, por në përgjithësi. Ndoshta është një këndvështrim paksa i vjetruar. Ndoshta melankolia në një moment të caktuar është poezi. Po jo gjithmonë poezia është melankoli. Nuk ka pse të jetë, ndoshta dikur ka qenë më shumë, ndoshta tani është më pak. Ju, çfarë mendoni në lidhje me shenjën e barazisë midis poezisë dhe melankolisë sot, për poezinë bashkëkohore dhe në veçanti për poezinë tuaj?
Melankolia është një ndjenjë që e ka shoqëruar dhe e shoqëron poezinë kurdoherë. Për ta thënë në mënyrë më të thjeshtë, është ndjenja e trishtimit. Një gjendje trishtimi e shoqëruar me një mendim pak më të thellë për arsyet e trishtimit, për mjedisin ku jetojmë. Kjo ka ndodhur, kjo do të ndodhë. Unë nuk kam shkruar një poemë për melankolinë. Melankolia është një nga titujt e katër cikleve që kam unë në libër dhe është kryesisht cikli për poezitë e dashurisë. Dhe, gjithmonë motivi i dashurisë është i rrethuar me një tis trishtimi edhe kur ka gëzim.
Por jo vetëm motivi i dashurisë…
Por jo vetëm sigurisht, është edhe mosha edhe përjetimet që lidhen me jetën, me të shkuarën apo edhe me aktualitetin. Është gjendje shpirtërore. Në librin tim të fundit është më e spikatur. Nëse në poezitë e mëparshme kishte më shumë dritë, dritë ka sërish, por kishte më shumë tonalitete drite sesa tani, kësaj here ka një gjendje më të trishtë. Kjo lidhet me etapën e krijimtarisë sime tani dhe me ambientin ku jetojmë. Vetë jeta është e mbushur me trishtim dhe e mendova këtë titull edhe si një lloj replike. Pretendoj të jetë një replikë artistike me kohën që është e ngarkuar me shumë nxitim, me shumë ashpërsi, deri edhe me shumë dhunë. Jeta është bërë shumë e vrullshme. Shoh njerëz që ikin, ikin, zgjohen, nisen, nisen, nisen, nuk ndalojnë se i imponon jeta që bëjnë. Unë mendoj se duhet të ndalojmë. Bëj një thirrje për të ndaluar. Duhet të ndalojmë, duhet të mendojmë ndonjëherë se ku jemi, ku do të jemi.
Thoni që jeta është e mbushur me trishtim, por a do të kishte poezi nëse jeta nuk do të ishte e mbushur me trishtim?
Unë mendoj se trishtimi është një ndjenjë që e shoqëron poezinë qëkurse ka lindur. Poezitë, lirike sidomos, poezitë meditative gjithashtu që nga antikiteti… Ne mund ta shohim se që nga poezitë e Safos p.sh., e cila është poetja më e madhe lirike e antikitetit grek, sot e kësaj dite aktuale, janë të mbushura me ndjenjën e trishtimit. Sepse poezia lind mbi një ikje, mbi një mungesë, mbi një nostalgji dhe prandaj trishtimi është kudo. Nuk besoj se poezia do të ishte kjo që është (nuk them nuk do të ekzistonte) pa këtë ndjenjë trishtimi. Por, unë shkoj më tej sesa thjesht evidentoj trishtimin, praninë e tij. Kam luajtur pak me titullin “Ushtrimet e melankolisë”: nga një anë nënkupton që melankolia të vë para disa detyrave që duhet t’i zgjidhësh, por edhe nënkupton të ushtruarit e melankolisë. Duhet ta ushtrojmë këtë ndjenjë, pra të ndalemi, të mendojmë për gjërat. T’i ndiejmë gjërat se sikur jemi tëhuajëzuar me gjërat. Kemi humbur dhe relacionin më të bukur, që besoj se është një humbje e madhe dhe këtë e them me shqetësim të madh. E shoh në jetën tonë, dimensioni i së bukurës, koncepti i së bukurës ose është banalizuar ose është zhdukur nga të përjetuarit, nga komunikimi i individit. Individin e merr zvarrë ajo ora që lëviz, halli, ambicia, drama e tij, pasiguria, pra një mori gjërash që e shkulin nga të qenët njeri.
“Prapa shndrit kujtimi, para kureshtja”. Është varg i një poezie, por më duket shumë interesant raporti midis tyre. Të dyja janë interesante, aq sa duket sikur ka një rivalitet midis të shkuarës dhe të ardhmes. Konflikt. Të dyja shndrisin po njëlloj. Megjithatë a mund të bëhet një krahasim, në ç’raport qëndrojnë? A mund të themi që njëra është karburant më i fuqishëm poezie, apo ndoshta në një moment të caktuar krahasimisht… Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Gazeta-shqip.