Policia e Tiranës ka njoftuar se ka arrestuar një tjetër shtetase kineze, e cila akuzohet se drejtonte një rrjet prostitucioni me vajza nga Azia në kryeqytetin e Shqipërisë.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar "Red light 2"", thuhet në njoftimin e policisë, shkruan A2CNN, transmeton Klankosova.tv.
Si rezultat u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale "Shfrytëzimi prostiucionit", "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", dhe "Dëmtime te tjera me dashje".
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y.Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipinase të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekrutuara.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.