Në kuadër të operacionit policor “Transportuesi 4” janë arrestuar dy persona në Tiranë, të cilët transportuan një armë zjarri nga Kosova me qëllim që ta shitnin atë te persona të tjerë në kryeqytetin shqiptar.
Konkretisht janë arrestuar dy të rinj 19-vjeçarë, banues në Kosovë, njofton Policia e Shtetit të Shqipërisë.
“Si rezultat i tij, në rrugën “Dritan Hoxha”, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: R. F., 19 vjeç, banues në Vushtrri, Kosovë, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë”, njofton policia, përcjell Klankosova.tv.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën të fshehur dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, me krehër e municion luftarak, dhe një silenciator.
"Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, dhe një silenciator, që ishin sjellë në Shqipëri për tu shitur tek persona të tjerë. Arma e zjarrit, krëhri, municioni luftarak, silenciatori, automjeti dhe një aparat celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale".
Është duke u hetuar identifikimi i personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë vepër.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.