Lajmet e fundit

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Pançe Toshovski.
Ai pas takimit ka folur rreth arrestimit të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i cili u prangos ditë më parë nga autoritetet e Shkupit me urdhër-arrest të Serbisë, nën pretendimin e ky i fundit kishte kryer krime lufte.
Ai u përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani.
Kreu i MPB-së së Kosovës tha se për rastin veçmë ka vendosur Gjykata e Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se për rastin duhet të pyesni në Ministrinë e Drejtësisë, një ministri që mbulon këtë fushë. Sa i përket ekstradimit të shtetasit tonë me kërkesë të Serbisë, për atë rast ka një deklaratë, ka vendosur edhe gjykata në Republikën e Maqedonisë. Ne jemi të gatshëm të flasim dhe të punojmë si dy vende fqinje dhe si dy vende mike dhe nuk do të lejojmë që kërkesat kriminale të një vendi të tretë që nuk ka bazë ligjore në të drejtën ndërkombëtare të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, tha ai, raporton Klan Macedonia, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur se pse kërkon që Ramadani të mos ekstradohet në Serbi, ndërsa Kosova nuk i dorëzon Maqedonisë së Veriut dy personat e dënuar për terrorizëm, Sveçla u përgjigj se për ekstradimin e dy personave në fjalë është e udhës që të pyetet Ministria e Drejtësisë e cila e mbulon këtë fushë.
“Për rastin e të cilët pyetët është udhës që të pyetet Ministria e Drejtësisë e cila e mbulon këtë fushë. Për rastin e kërkesës së Serbisë për ekstradimin e qytetarit tonë për rastin e njëjtë është deklaruar është deklaruar vetë gjykata e Maqedonisë së Veriut. Do të thotë se ne jemi të gatshëm që të punojmë si dy vende mike”, tha Sveçla.
Ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani me kërkesë të Prokurorisë për krim të organizuar i është caktuar masa e paraburgimit ekstradues prej 30 ditësh.
Ai u ndalua më 17 korrik të vitit 2024 në vendkalimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë dhe menjëherë u transferua në burgun e Shutkës në Shkup.