Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon të kalojë në llogari të shtetit 10 pasuri të patundshme të zotëruara nga një shtetas belg, i dyshuar nga drejtësia e këtij vendi për trafikim të ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika Latine në Evropë.
Sekuestrim i pasurive në Shqipëri të belgut, Dries Loneux, është miratuar nga gjykata në qershor të vitit të shkuar, në bazë të Ligjit Anti-mafia, si pasuri të siguruara nga aktivitetit kriminal, në vijim të një hetimi të koordinuar mes SPAK dhe drejtësisë belge.
Pasuritë e belgut, Dries Loneux, janë 5 apartamente në Sarandë si edhe 5 sipërfaqe trualli në Tiranë, që variojnë nga 550 metër në5150 metër, në një prej të cilave ndodhet edhe një ndërtesë.
Sipërfaqet e truallit ishin në pronësi të shoqërisë tregtare “Ralet Green”, të regjistruar në shtator 2019 në Qendrën Kombëtare të Biznesit Shqipëri me administrator dhe aksioner të vetëm Dries Loneux.
Tashme, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive, kërkesë që pritet të shqyrtohet nga gjykata e Posaçme më 24 maj.
Me kërkesë të SPAK, gjykata ka bërë edhe një afishim publik për seancën, përmes të cilit kërkon të njoftojë për seancën jo vetëm Dries Loneux, por edhe të ëmën e tij, të bijën, ish-bashkëshorten, bashkëjetuesen, si edhe një shtetase shqiptare, si persona të lidhur. /A2CNN./
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.