Lajmet e fundit

Ansi Agolli drejt “Tokës së Premtuar”.
Pritet vetëm konfirmimi, por duket se e ardhmja e ish-kapitenit të përfaqësueses shqiptare do të jetë në SHBA.
“SportNews” ka mësuar se 36 vjeçari është në bisedime me klubin New York Cosmos dhe palët kanë gjetur pikën e përbashkët. Mbeten vetëm për t’u definuar detajet e fundit dhe gjithçka do të zyrtarizohet.
Nënshkrimi është çështje ditësh dhe, nëse vjen, atëherë tiranasi do të divorcohej me azerët e Karabakut pas një martese të lumtur, e cila zgjati 9 vite dhe që i vendosi në muze klubit 4 tituj kampion dhe 3 trofe të Kupës së Azerbajxhanit.
New York Cosmos ka një histori interesante. U formua në vitin 1970 dhe përjetoi lavdinë për 15 vite, pasi me këtë skuadër u aktivizuan yje të futbollit botëror si Pele dhe Beckenbauer.
Klubi u shpërbë për t’u rikthyer në vitin 2010. Tash njujorkezët do të jenë pjesë e “National Premier Soccer League”, një gare e cila do të nisë për herë të parë këtë vit edhe pse ende nuk është njohur nga federata e amerikane e futbollit.
Një arsye e fortë përse Agolli e ka zgjedhur “Tokën e Premtuar” është familja.
Bashkëshortja e tij prej kohësh jeton në SHBA dhe thirrja e familjes vështirë të refuzohet.