Lajmet e fundit

Klubi i futbollit Trepca ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pjesë e garave të Ligës së Kosovës, as me kushtin se mund të marrë pjesë në kompeticione ndërkombëtare.
Ky ekip nga Mitrovica e Veriut ka thënë se është kundër vendimit të djeshëm të UEFA-s, që e pranoi Kosovën.
"Vendimi nga mbledhja e organizatës kriminale UEFA në Budapest tregon se me para mund të blihet gjithcka", thuhet në një tekst të publikuar në profilin e Trepcës së serbëve, në facebook, transmeton Klan Kosova.
Trepca, e cila aktualisht garon në ligën e katërtë të Serbisë, por edhe ekipet tjera nga veriu u Mitrovicës kanë thënë se statusi i tyre mbetet i pandryshueshëm, pavarësisht asaj që u vendos në shtëpinë evropiane të futbollit.
"Ne edhe mëtutje jemi të drejtuar kah Federata amë e futbollit, ajo e Serbisë, dhe Lidhjes Rajonale të Kosovës e Metohisë dhe do të vazhdojmë garat pikërisht aty ku kemi qenë edhe tashti, Zonska liga Morava e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Serbisë Perëndimore", kanë thënë në Trepcë, përcjellë Klan Kosova.
Klubi në fjalë thotë se është krijuar me 1932, ndërsa pretendon, sikur edhe klubi Trepca nga jugu i qytetit, se është pasardhës i ekipit të famshëm nga Mitrovica, që ka qenë anëtar standard i Ligës së II Dytë Federative të Jugosllavisë, ndërsa është konsideruar si një fidanishte nga ku kanë dalë lojtarë të cilët bënë karrierë gjithandej botës.