Lajmet e fundit
Strategu italian e ka këshilluar ish legjendën franceze që tani drejton Los Blancos, në lidhje me pozitat e lojtarëve kyç të skuadrës.

Carlo Ancelotti i dha lamtumirën Madridit në muajt e verës së shkuar, por trajneri italian nuk mungon me këshilla nga distanca për Zinedine Zidane.
Trajneri i trofeut të dhjetë të Champions League, analizon situatën në skuadër duke theksuar se Cristiano Ronaldo është një nga sulmuesit më të mirë të Europës, madje shton se nuk ka stërvitur një si ai më parë.
“Ronaldos nuk i pëlqen që të luajë me shpatullat e kthyer nga porta, pasi ai preferon më shumë hapësira në qëndër të sulmit.Ai ka qenë përherë në gjendje të zgjidhë ndeshjet dhe të gjejë vendin e tij në fushë prandaj duhet lënë i lirë”.
Në vijim ai kujton fillimin e aventurës te Reali ku zbulon se e kuptoi menjëherë që numri 7 kishte nevojë për më shumë hapësira pasi vetëm në këtë mënyrë bëhet i paparashikueshëm.
“Për të dhënë maksimumin në fushë ai ka nevojë për mbështetjen maksimale të shokëve të skuadrës”, përfundon Ancelotti, sipas të cilit, në fazën e sulmit, Bale e gjen veten më mirë në krah pasi ai arrin të tërheqë disa mbrojtës kundërshtarë.
Me largimin e Ancelottit nga Reali i Madridit, Ronaldo shprehu publikisht mosaprovimin e tij për vendimin e marrë nga Perez, çka mendohet se ndikoi në prishjen e marrëdhënieve mes presidentit të klubit dhe yllit portugez.