Carlo Ancelotti ishte i relaksuar në konferencën për media para ndeshjes ndaj Juventus, duke kërkuar nga lojtarët “qetësi dhe koncentrik” për të arritur në finale, dhe për të fituar dy herë radhazi Champions League.
“Ky është momenti më i rëndësishëm i sezonit, sepse jemi shumë afër cakut. Ne jemi të entuziazmuar dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar. Statistikat nuk flasin në favor tonin, por ne do të përpiqemi të arrijmë prapë në finale” , tha Don Carlo.
Lidhur me situatën e krijuar rreth Iker Casillas ai shprehu besim të plotë në kapitenin dhe në qëndrimin e tij në Madrid.
“Është shqetësuese kur dikush fishkëllehet, por mendoj se Casillas e ka përvojën e nevojshme për ta hedhur prapa krahëve gjithë këtë. Për më shumë, besoj se kjo do ta ndihmoj atë, me më shumë motivim”.
“Iker ka thënë në shumë raste se ai do të qëndroj. Ne të gjithë besojmë në të. Por, gjithsesi i mbetet secilit të vendosë për fatin e tij.”
Trajneri italian foli edhe për kthimin e numrit nëntë të mbretërve, Karim Benzema.
“Benzema është 100% i gatshëm. Ai mund të luajë që nga fillimi. Ndërsa, Chicharito na jep mundësi që të kemi alternativa në sulm.” , shtoi Ancelotti.
Real Madrid takohet me Juventus, të mërkurën në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Champions League. Ndeshja e parë përfundoi me fitore 2-1 të Juventus.
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.