Avokatja e Mbrojtjes së Jakup Kraniqit, Venkateswari Alagendra, deklaroi para trupit gjykues se mbrojtja është e bindur që vendimi do të bazohet në prova dhe dokumentacionin e paraqitur gjatë procesit.
Ajo tha se është e rëndësishme që trupi gjykues të vlerësojë me kujdes argumentet e prokurorisë, duke pasur parasysh, sipas saj, përdorimin e spekulimeve dhe mungesën e lidhjes logjike ndërmjet provave të paraqitura, raporton Klankosova.tv.
“Ne jemi të bindur plotësisht se ju, z. gjykatës, do të analizoni provat aktuale, të gjithë dokumentacionin dhe të gjitha çështjet, dhe do ta shpallni z. Krasniqin jo përgjegjës për asnjërën nga akuzat e ngritura nga prokuroria. Ka pasur përpjekje të përsëritura nga prokuroria për ta lidhur Jakup Krasniqin me krime të akuzuara dhe ne parashtrojmë se këto përpjekje kanë dështuar. Kërkojmë nga ju, z. gjykatës, që të keni parasysh përdorimin e spekulimeve nga ana e prokurorisë dhe rëndësinë e vlerësimit të argumenteve të saj. Në të gjithë dosjen e prokurorisë nuk ekziston një marrëdhënie apo lidhje ndërmjet pjesëve të palidhura të provave, të cilat pretendohet se krijojnë bazë për lidhje me ngjarje të caktuara. Ato nuk kanë pikë lidhjeje. Emri i Jakup Krasniqit përmendet nëpër ngjarje që nuk kanë fare lidhje me të dhe për këtë arsye është e rëndësishme të vihet në dukje se qëllimi i prokurorisë duket të jetë thjesht përmendja e emrit të z. Krasniqit”, tha avokatja./Klankosova.tv
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.