Lajmet e fundit

Në RUBIKON në Klan Kosova, temë e debatit të sotëm ishte roli i diasporës në proceset zgjedhore dhe ndikimi i saj në skenën politike të Kosovës.
Opinionisti Rrahman Paçarizi tha se partitë politike kanë frikë nga konfrontimi me mërgatën.
“Herën e fundit ka ndodhur një mashtrim i madh i cili ka ndodhur me caktimin e datës së zgjedhjeve, i bërë nga presidentja Osmani, e cila është dashur të jetë unifikuese e popullit. Por, ajo bëri të kundërtën duke i bërë shërbimin më të madh LVV-së duke përcaktuar datën 28 dhjetor për zgjedhje si koha më e përshtatshme e mundshme për mërgimtarët që të vijnë, duke e pasur parasysh sentimentin e dëshmuar të mërgatës për LVV-në”, tha Paçarizi.
Partitë tjera, ai tha se kanë mundur ta kundërshtojnë këtë datë, por “janë të paguximshme”.
“Kanë frikë të konfrontohen me mërgatën, ashtu si çdokush në Kosovë që e ka këtë frikë. Nuk është krejt dashuri ndaj mërgatës, më shumë është frikë nga konfrontimi me mërgatën”, tha opinionisti Paçarizi.
Nga ana tjetër, Azdren Shala tha se janë tri kategori të diasporës që e votojnë LVV-në.
“Është komuniteti i njerëzve që kanë deficite: kulturore, ekonomike në një pjesë të mirë të kohës, dhe më e rëndësishmja, patriotike. Me këto deficite, krejt njerëzit e kanë përqafuar LVV-në, sepse rrëfimi i tyre ka qenë i tillë. Luftën s’e ka bërë UÇK-ja, por populli, duke gjetur ngushëllim shumë horra e matrapazë që janë tut në luftë, s’kanë kontribuuar as në forma intelektuale e as me pushkë; ekonomike-sociale, duke qenë streha ngushëlluese e shumë njerëzve të dështuar në Kosovë, në pamundësi të gjenden në tregun dinamik të kapitalizmit, Albin Kurti me LVV ka qenë streha ngushëlluese. E mbaj mend si student, shumë ngelça, në kuptimin të padijshëm, e kanë parë ngushëllimin te LVV”.
“Sot krejt këta njerëz kanë ikur nga Kosova, duke i besuar rrëfimit të Albin Kurtit se ky vend nuk bëhet, është i pajetueshëm”, u shpreh Shala, teksa shtoi se pjesa më e mirë që ka ikur në këtë periudhë 10-vjeçare, sot janë votues të Albin Kurtit.
Kurse Pal Shtufi tha se Albin Kurti e shfrytëzon sentimentin e mërgatës për ta shtrirë propagandën e tij.
“Unë ndihem ende diasporë, ndonëse jam që 4-5 vjet këtu. Duhet të kapet sensi psikologjik i diasporës. Është një masë e shkëputur prej atdheut, një masë që kur është shkëputur e ka marrë plagën me vete”.
“Pjesa dërmuese e tyre e kanë lënë gjysmën e familjes këtu, dhe është sentimenti familjar, e kombëtar – duhet me i kuptu krejt këto gjana”.
“Edhe unë kam jetuar shumë gjatë me të njëjtën frymë, andrra e dëshira për ta parë Kosovën si Zvicrën. Por, kështu e humb kontaktin me realitetin”.
“Vjen dikush si Albin Kurti dhe e kap këtë sentiment dhe e vendos në violinën e tij të propagandës që e ka të përsosur në krahasim me partitë tjera. Është i paskrupullt në atë drejtim. I prek njerëzit në plagë, iu ofron atë që ata natën e shohin, dhe njerëzit janë aq të untë për këtë vend, dhe shpesh e harrojnë realitetin. Më së shumti i prek propaganda kundër ish-partive politike”, deklaroi Shtufi.