Lajmet e fundit

Veprimet e Shteteve të Bashkuara në Siri dhe Irak po "shkaktojnë turbulenca të reja rajonale", tha Zhang Jun, ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara.
“Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në Siri dhe Irak, duke rezultuar në një numër të madh viktimash. Këto veprime shkelin rëndë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë dhe Irakut”, tha ai.
Zhang kështu u shpreh derisa ishte duke folur në sesionin e hapur të urgjencës të Këshillit të Sigurimit mbi sulmet ajrore të SHBA-së në Siri dhe Irak, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
"Veprimet përkatëse ushtarake padyshim po shkaktojnë turbulenca të reja rajonale", shtoi ambasadori kinez.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar kishte përgjegjësinë për të ulur tensionet dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve.
"SHBA thotë se nuk kërkon të krijojë konflikte në Lindjen e Mesme apo kudo tjetër, por ajo shkon në drejtim të kundërt. Shkaku kryesor është se armëpushimi dhe ndërprerja e armiqësive në Gaza nuk kanë qenë në gjendje të zbatohet", tha ai.
Kjo erdhi pasi SHBA-ja lëshoi një seri sulmesh ajrore të premten për të shkatërruar 84 objektiva të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe milicive të mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri.
Ishte në përgjigje të një sulmi me dron nga luftëtarët e mbështetur nga Irani që vrau tre anëtarë të shërbimit amerikan dhe plagosi shumë më tepër në Jordani më shumë se një javë më parë.