Lajmet e fundit

Mungesa e një bomberi që të sigurojë gola në vazhdimësi është shkaku kryesor për mungesën e rezultateve te Flamurtari. Këtë e pranon edhe vetë trajneri i skuadrës vlonjate, Gugash Magani.
Në 4 javët e para Flamurtari numëron po kaq pikë, por ajo që shqetëson më shumë është shterpësia në fazën sulmuese edhe pse golat nuk kanë munguar pasi kuqezinjtë janë skuadra që kanë realizuar më shumë bashkë me Skënderbeun. 5 prej golave të këtij sezoni u regjistruan në ndeshjen anormale ndaj Luftëtarit, ndërsa një rrjetë tjetër u rregjistrua në takimin e humbur të Korçës.
Donjet Shkodra i vetëm është shumë pak për një skuadër që kërkon të mos e diskutojë qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar dhe trajneri peqinas kërkon me ngulm një qëndërsulmues me peshë në fazën ofensive.
Braziliani Danilo Alves është alternativa e vetme për vlonjatët pasi ai është ende një lojtar i Flamurtarit, pavarësisht faktit se gjatë muajve të fundit ka refuzuar të bashkohet me skuadrën.
Sulmuesi amerikano-jugor duket se është bindur nga trajneri Magani për t’u rikthyer në Vlorë, pavarësisht mosmarrëveshjeve që ka pasur me drejtuesit.
Lajmin e rikthimit të Alves e konfirmon vetë trajneri peqinas, i cili thekson se lojtari do të bashkohet me ekipin brenda kësaj jave.
Në këtë mënyrë, Alves do të jetë vlera e shtuar e kësaj skuadre, ndërsa dhimbjet e kokës për Maganin do të jenë më të vogla pasi Flamurtari pritet të përqafojë sulmuesin që vitin e shkuar bindi me lojën e tij./Supersport