Lajmet e fundit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-deputetit socialist, Alqi Bllako.
Tv Klan raporton se zyrtarët e policisë kanë shkuar në banesën e Bllakos, në rrugën e Elbasanit, rreth orës 12:50. Megjithatë deri më tani ai nuk ka mbërritur ende në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku do të shoqërohet.
Alqi Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me inceneratorin e Fierit. Ai dorëzoi ditën e djeshme mandatin e deputetit, çka hapi rrugë për arrestimin e tij.
Në dosjen e SPAK ndaj Alqi Bllakos janë zbardhur të dhëna të tjera se për çfarë akuzohet ish-deputeti socialist. Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se sipas SPAK, rezulton se në Prill të vitit 2019, Bllako të ketë udhëtuar drejt Italisë me Klodian Zoton.
“Sipas sistemit TIMS në 16.4.3019 Alqi Bllako ka udhëtuar me avion drejt Torinos së bashku me Klodian Zoton për t’u kthyer nje ditë më pas, po së bashku, nga Roma në Rinas”, thuhet në dosjen e SPAK sipas gazetares Glidona Daci.
Prokuroria e Posaçme duke llogaritur pagat e babait të deputetit si drejtor kantieri i kompanisë së Klodian Zotos, Integrated “Energy BV SPV” prej 6 mijë eurosh në muaj, nga viti 2018 deri në 2020, thotë se ky është ryshfeti për favorizimin e kompanisë bërë nga Bllako dhe kap një vlerë totale rreth 15 milionë lekësh./tvklan.al/