Lajmet e fundit

Te Juventusi është Massimiliano Allegri ai që mendon të ulë tensionin, në prag të sfidës direkte me Napolin.
Trajneri bardhezi nuk e cilëson vendimtar për titullin rezultatin e përballjes në Torino.
“Rezultati i ndeshjes Juventus-Napoli nuk do të vendosë kampionatin. Pas kësaj ndeshje dy skuadrat kanë edhe 39 pikë në dispozicion. Napoli po zhvillon një kampionat të madh, ndërsa ne kemi grumbulluar vetëm 3 pikë më pas se sezonin e kaluar. Diferencën po e bën dueli direkt i fazës së parë, ku pësuam dy gola për fajin tonë. Tani do të jetë një ndeshje e ndryshme, një sfidë e bukur, taktike dhe teknike. Është një përballje që i ka të tre rezultatet.
Allegri hedh poshtë edhe spekulimet se Napoli është më i uritur se Juventusi në garën drejt titullit.
“Nuk e di sa vlen për Napolin titulli kampion. Megjithatë, për ne do të ishte titulli i pestë radhazi dhe Juventusi do të hynte në histori, duke qenë se diçka e tillë ka ndodhur vetëm në vitet ’30. Është një objektiv i vështirë për t’u realizuar në Itali dhe skuadrës i kam kërkuar që të mbetet e përqendruar te objektivi ynë, data 16 Maj. Por, deri në periudhë do të luhen edhe 14 ndeshje. Të gjitha sfidat do të jenë të rëndësishme”.
Tekniku bardhezi vlerësoi edhe rivalët, ndërsa hodhi poshtë spekulimet rreth emërimit të tij te Chelsea, shkruan SuperSport.al.
“Pika e fortë e Napolit nuk është vetëm Higuain, që po zhvillon sezonin më të mirë në karrierë. Ai është finalizusi i aksioneve, por Sarri ka rreshtuar mbrojtjen e dytë më të mirë të kampionatit. Përsa na përket, zërat rreth së ardhmes time nuk e destabilizojnë ekipin, sepse jemi profesionistë. E ardhmja ime është te Juventusi. Asgjë nga ato që është shkruar nuk është e vërtetë”.