Alice Albright, drejtoreshë ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka thënë se Programi Kompakt është shumë urgjent dhe i domosdoshëm për Kosovën.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ajo ka deklaruar ekskluzivisht se MCC në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës kanë punuar në identifikimin e fushës që më së shumti ka nevojë për investime në vend.
"Pra në fillim të programit Threshold, që pastaj u vazhdua përmes Kompaktit, ne kemi punuar shumë afër me qeverinë për ta identifikuar se energjia ishte problemi kryesor. Nëse e shohim nga një këndvështrim më të gjerë, mendoj se është e rëndësishme të pyesim përse? Fillimisht jemi në një krizë globale energjetike, që në njërën anë është shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, por gjithashtu e shohim se energjia në tërë botën është në një periudhë të tranzicionit kur mendojmë për ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe ndikimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë", ka thënë Albright në Rubikon.
Albright ka theksuar se edhe shtetet tjera të rajonit duhet të fillojnë tranzicionin nga energjia me djegie dhe të prezantojnë forma të reja të energjisë. Duke folur për Programin Kompakt, ajo ka treguar se elementi kryesor i këtij projekti janë bateritë për ruajtje të energjisë.
"Do t’ia mundësojnë qeverisë të fillojë tranzicionin në një të ardhme energjetike të shumëllojshme dhe arsyeja e tretë ka të bëjë me zhvillimet ndërkombëtare dhe kur një shtet arrin të ketë qasje më të sigurt në energji, qasje më të lirë në energji, forma më të pastra të energjisë dhe fillon të sjellë më shumë njerëz në mënyrën se si ky sektor funksionon. Kjo është shumë e mirë për qëndrueshmërinë ekonomike në përgjithësi, shëndetin e njerëzve dhe aftësinë e qeverisë për të gjeneruar rritje dhe të hyra dhe mundësi punësimi ndër vite".
Ndër tjera, ajo ka treguar edhe lidhshmërinë e programit Threshold dhe Kompakt, të dyja këto investime të MCC në Kosovë.
"Pika juaj e fundit ishte se a është Kompakti i lidhur me Threshold, këto janë në fakt të lidhura shumë ngushtë, pra Threshold është marrë me atë që ne e quajmë ana e kërkesës së ekuacionit dhe ka ndihmuar në fillimin e rregullimit të aspektit të kërkesës. Kompakti punon në anën e furnizimit, duke ndihmuar që furnizimi me energji të jetë më i sigurt, ose ndoshta më efiçient, pra do të punojnë shumë afër së bashku dhe edhe te pjesa e mundësive për gratë të punojnë njëra me tjetrën", ka folur Albright.
https://www.youtube.com/watch?v=8x2NcUVoId4
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek ekonomi dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.