Lajmet e fundit

Një person që e kishte akuzuar policin në Gjakovë se i kishte hedhur drogë në shishen me ujë, dyshohet të ketë gënjyer.
Prokuoria Themelore në Gjakovë thotë se i dyshuari Y.Xh. me dashje ka bërë lajmëri mtë rremë ndaj policit, dhe pas ekzaminimit të kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, është konstatuar se në trupin e ankuesit nuk ka substancë tjetër pos qetësuesve.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit Y. Xh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, nga neni 382 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
“Prokuroria njofton se, më 07 prill 2022, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në cilësinë e ankuesit, Y. Xh., me dashje ka bërë lajmërim të rremë, kundër të dëmtuarit, zyrtar policor, Sh. S.I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit, ka bërë denoncimin se kinse zyrtari policor ka bërë intoksikimin e tij duke hedhur substancë narkotike në shishen e tij të ujit. Pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht ekzaminimit të kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, është konstatuar se në trupin e ankuesit-të pandehurit, nuk ka substancë tjetër përveç medikamenteve të grupit benzodiazepine të cilat i pandehuri i ka pranuar se i ka përdorur”.
Ai po ashtu kishte denoncuar Drejtorin L.G. se e kishte përgjuar në banesën e tij duke vënë video-incizues, por pas hetimeve edhe këto akuza kanë rezultuar të pabaza.
“Gjithashtu, me datë 07 prill 2022 në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në cilësinë e ankuesit, me dashje ka bërë lajmërim të rremë se i dëmtuari/Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, ka kryer disa vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i denoncuari nuk i ka kryer këto vepra”.
“I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit , ka bërë denoncimin se kinse Drejtori L.G., në mënyrë tinëzarë kishte vendosur video-incizime në banesën e tij duke përgjuar në mënyrë ilegale, ndërsa pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht, Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe sipas raportit përfundimtar të hetimeve është konstatuar se pretendimet e të pandehurit Y. Xh., nuk mund të qëndrojnë, nuk janë të bazuara, nuk mund të dëshmohen me ndonjë provë dhe nuk mund ti trajtojmë si të besueshme”.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Y. Xh., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 16 qershor 2022”.